Thirrje për pjesëmarrje në Konferencën shkencore:  “SHQIPTARËT DHE NDËRKOMBËTARËT (1912-1926)” 

7 Maj, 2019 Njoftime

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, marrëdhëniet e shqiptarëve me Fuqitë e Mëdha morën dimensione të reja. Ashtu sikurse kishte ndodhur edhe më herët me shtetet rishtare në Ballkan, Fuqitë e Mëdha ushtruan ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në krijimin dhe më tej, në ecurinë e shtetit të pavarur shqiptar. Gjeopolitika dhe gjeostrategjia e Fuqive të Mëdha ishte një faktor i rëndësishëm, që dukshëm shënjoi marrëdhëniet e shqiptarëve me ndërkombëtarët. Këto marrëdhënie rezultuan intensive dhe përcaktuese për çështjen kombëtare shqiptare dhe procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit.  

Si shtet ballkanik i krijuar më vonë se të tjerët, Shqipëria u përball me presionet, ndërhyrjet politike dhe ushtarake të shteteve fqinjë, çka hera-herës e bëri mbijetesën të vështirë, madje edhe të pasigurt. Në të tillë situatë, roli i faktorit ndërkombëtar rezultoi të ishte vendimtar në “paqësimin” e shqiptarëve me fqinjët.

Nga ana tjetër, rruga e mbijetesës dhe e konsolidimit të shtetit shqiptar kaloi përmes sfidave dhe dilemave të shumta me vetveten. Zhvillimet e brendshme shpeshherë turbulluese dhe me ndikim negativ në procesin e shtetndërtimit, e bënë gjithashtu të nevojshëm bashkëveprimin me ndërkombëtarët. 

Konferenca Shkencore “Shteti shqiptar dhe ndërkombëtarët në fillesat e tij”, që merr shkas nga përvjetori i krijimit të Principatës Shqiptare të Vilhelm Vidit (1914) dhe 100 -vjetorit të fillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (1919), synon arritjen e objektivave të mëposhtme:

Së pari, nxitjen e studiuesve për të analizuar në mënyrë objektive procesin e ndërtimit të shtetit kombëtar, duke u fokusuar në aspektet historike, politike e diplomatike të tij;

Së dyti, analizimin e ndikimit të faktorit ndërkombëtar në ecurinë e çështjes kombëtare dhe të shtetit të pavarur shqiptar;

Së treti, nxitjen e debatit shkencor, lidhur me arsyet e pranisë aktive të faktorit të jashtëm, në çështjet e brendshme të politikës dhe emancipimit të shqiptarëve.

Historiografia shqiptare dhe studiues të huaj, kanë shënuar kontribute të rëndësishme, për sa i përket trajtimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Fuqitë e Mëdha dhe ndërkombëtarët, në përgjithësi. Por historishkrimi është një proces i vazhdueshëm dhe asnjëherë fundor. Në këtë aspekt, organizimi i konferencës krijon mundësi për të sjellë kontribute të rëndësishme shkencore, për të bërë analiza, për të ngritur teza dhe hipoteza të reja, duke pasuruar trajtimet e mëparshme, por edhe mbajtur qëndrim kritik ndaj tyre.

Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”- Prishtinë ju ftojnë të aplikoni për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët (1912-1926)”.

Konferenca do të mbahet në Tiranë, më 25 tetor 2019. Abstrakti duhet të përmbajë 250-300 fjalë dhe të paraqitet deri më 26 maj 2019, në adresën: institutihistorise@gmail.com. Pjesëmarrësit njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 8 qershor 2019.

Aktet e konferencës do të botohen gjatë vitit 2020.

Tematika orientuese e Konferencës:

  • Pavarësia e Shqipërisë dhe Fuqitë e Mëdha;
  • Çështja shqiptare në Konferencat Ndërkombëtare (1912-1921): sfida dhe zgjidhje;
  • Përcaktimi i kufijve shtetërorë dhe Fuqitë e Mëdha: Komisionet Ndërkombëtare të Kufijve (1913-1926)
  • Procesi i shtetndërtimit në Shqipëri dhe bashkëveprimi me Fuqitë e Mëdha;
  • Principata e Vilhelm Vidit: Fuqitë e Mëdha dhe shqiptarët;
  • Shteti shqiptar në projektet e ndërkombëtarëve: vizioni dhe realiteti;
  • Zhvillimet e brendshme në Shqipëri, qëndrimi dhe roli i Fuqive të Mëdha;
  • Elita politike shqiptare dhe marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha;
  • Stabiliteti në Ballkan, Shqipëria dhe ndërkombëtarët;
  • Marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët ballkanikë dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha;
  • Bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha;
  • Shqiptarët në Ballkan, shteti amë dhe ndërkombëtarët;
  • Njohja e shtetit të pavarur shqiptar dhe procesi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike;
  • Shoqëritë dhe personalitetet e huaja për çështjen kombëtare shqiptare: kontribute dhe arritje;
  • Shqipëria dhe shqiptarët në perceptimin e të huajve.

Komiteti Organizativ:

Akad. prof. dr. Beqir Meta

Prof. asoc. dr. Sabit Syla

Prof. asoc. dr. Ledia Dushku

Dr. Sali Kadria

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL