Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, rruga e mbijetesës dhe e konsolidimit të shtetit shqiptar kaloi përmes sfidave dhe dilemave të shumta. Shteti shqiptar ishte vazhdimisht në sfidë me vetveten dhe tjerët. Ai u përball me vështirësi të vazhdueshme që vinin sa nga gjeopolitika e Fuqive të Mëdha, aq edhe nga çarjet e brendshme politike, nga mungesa e strukturave solide shoqërore, si edhe nga domosdoshmëria për të zhvilluar e konsoliduar ndërgjegjen dhe institucionet e tij kombëtare.
Në këtë proces të gjatë e të vështirë të përcaktuar nga sociologu Ferdinand Braudel “si punë e vetes për veten”, roli i elitës përcaktohet vendimtar. Ismail Qemal Vlora ishte dhe mbetet përfaqësuesi i zëshëm i elitës shqiptare të fillimshekullit XX, veprimtaria e tij shënjoi procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj konference shkencore ndërkombëtare është të analizojë figurën e Ismail Qemal Vlorës si intelektual e politikan; rrethanat historike në të cilat ai veproi; marrëdhëniet e tij me elitën politike të kohës; kontributin e tij dhe të elitës politike në funksion të çështjes kombëtare dhe shtetformimit. Konferenca synon të trajtojë edhe trashëgiminë mentale osmane të një pjese të konsiderueshme të elitës politike shqiptare, mendësinë e kësaj të fundit për shtetin kombëtar dhe procesin e përballjes me shtetformimin dhe shtetndërtimin.
Historiografia shqiptare, por edhe studiues të huaj, kanë shënuar kontribute të rëndësishme, për sa i përket trajtimit të figurës së Ismail Qemal Vlorës, por edhe aspekteve të ndryshme që lidhen me ndërveprimin e elitës politike shqiptare. Konferenca Shkencore Ndërkombëtare që do të zhvillohet me rastin e 175-vjetorit të lindjes dhe 100-vjetorit të kalimit në amshim të Ismail Qemal Vlorës, ka një bazë të gjerë, ku do të mbështetet trajtimi i problematikës së saj. Nga ana tjetër, historishkrimi është një proces i vazhdueshëm dhe asnjëherë fundor. Në këtë aspekt, organizimi i konferencës krijon mundësi për të sjellë kontribute të reja të rëndësishme shkencore, për të bërë analiza të reja, për të sjellë argumente, për të paraqitur teza dhe hipoteza të reja, duke pasuruar edhe qëndrimet kritike ndaj trajtimeve të mëparshme. Vëmendje të veçantë, konferenca pritet t’i kushtojë procesit të ndërveprimit të elitës politike shqiptare dhe marrëdhënies së saj me procesin e ndërtimit të shtetit kombëtar.
Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë ju ftojnë të aplikoni për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit”, konferencë që do të mbahet në Tiranë, më 27 shtator 2019. Abstrakti duhet të përmbajë 250-300 fjalë dhe të paraqitet deri më 30 prill 2019 në adresën: institutihistorise@gmail.com
Pjesëmarrësit njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 20 maj 2019.
Aktet e konferencës do të botohen gjatë vitit 2020.
Tematika orientuese e Konferencës
- Diskutim teorik mbi konceptin elitë kombëtare. Tipologjia e saj;
- Elita politike shqiptare si pjesë e elitës politike osmane: të përbashkëta dhe dallime;
- Shteti kombëtar dhe perceptimi i elitës për të;
- Ismail Qemal Vlora: njeriu, diplomati, politikani;
- Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë;
- Marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike në këndvështrimin e Ismail Qemal Vlorës dhe elitës politike shqiptare;
- Marrëdhëniet e Ismail Qemal Vlorës me elitën politike shqiptare;
- Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në përballje me shtetformimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare;
- Shteti kombëtar dhe perceptimi i elitës për të;
- Ismail Qemal Vlora, elita politike shqiptare: konceptet e tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
- Ismail Qemal Vlora dhe elita politike në diasporë;
- Elita politike në diasporë dhe procesi i shtetndërtimit të shqiptarëve.
Komiteti Organizativ:
Akademik Marenglen Verli
Akademik Floresha Dado
Akademik Beqir Meta
Akademik Shaban Sinani
Prof. asoc. dr. Ledia Dushku