Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

31 Janar, 2012 Fondet arkeologjike

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar.

E citojmë: Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173. “MINISTRI E ARSIMIT” Nr. Prot. 1208.

Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë. Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit

Mirash Ivanaj

(firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar. Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A. Nr 402/749 Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë Qytet

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim: Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912. Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933 Drejtori (Firma dhe vula ) Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa e jonë Nr C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62. “Flamuri i Vlorësë”

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

  1. flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër). 
  2. Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë. 
  3. Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri. Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare. Tiranë, 10 shkurt 1936” Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës.
Faqe / Page: 12345
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL