Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

31 Janar, 2012 Fondet arkeologjike

U IDENTIFIKUA FLAMURI ME TE CILIN U VARROS ISMAIL QEMALI

Me datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithshka…

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” me 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që i a kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëhere i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë flamur i a kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Faqe / Page: 12345
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL