Rektori Luan Përzhita priti në takim prof. dr. Hasan Jashari, kreu i kësaj shoqate (sociolog), prof. dr. Zeqir Kadriu (gjuhëtar), prof. dr. Zeqirja Rexhepi (historian) dhe prof. dr. Florin Ajdini (studiues i filozofisë), studiues dhe mësimdhënës pranë Universitetit të Evropës Juglindore dhe Universitetit të Tetovës, një qytet me 85% të popullatës shqiptare që mbetet zemra e arsimimit në gjuhën shqipe.
Kjo përfaqësi kërkon mbështetjen e kolegëve shqiptarë, e inteligjencës shqiptare të tërësi, për një bashkëpunim në të ardhmen në fushën e kërkimit shkencor, por sidomos në këtë moment, ka të nevojshme ndihmën e natyrës teknike për mëkëmbjen e asaj që aspirohet të jetë një akademi për shkencat shoqërore dhe albanologjike në Maqedoninë e Veriut, në një territor që i ka munguar angazhimi i shkencës shqiptare.
“Ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut jemi të vetëdijshëm se nuk jemi prioritet në një territor ku shqiptarët janë shumicë”, thanë përfaqësuesit e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art. “Kërkojmë ndihmën tuaj dhe të Kosovës që të mos mbetemi në margjinat e proceseve për të afirmuar vlerat e identitetit tonë kulturor, identitet të cilin Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut e injoron me heshtje.”
Prof.dr. Luan Përzhita u bëri të ftuarve një prezantim të strukturës dhe punës shumëvjeçare të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe vuri në dukje mundësitë e bashkëpunimit me kolegët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Mbas këtyre shkëmbimeve të para njohëse mund të fillojë një rrugë bashkëpunimi për të ndryshuar situatën, së pari me burime njerëzore, e për të vijuar me botime të përbashkëta.
Palët këmbyen librat e parë, një seri të revistës “Albanian Studies”, një nga revistat më të rëndësishme që boton Akademia e Studimeve Albanologjike, dhe një kolanë studimesh antropologjike. Rektori i ASA-s shprehu vullnetin që në takimin e ardhshëm, ASA t’i dhurojë Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art, bibliotekës së saj ende në ngjizje, një seri studimesh albanologjike.