Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtues të Instituteve të ASA-s, pritën sot në një takim pune zëvendësrektorin e Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, prof. Georgi Valchev dhe dekanen e Fakultetit të Sllavistikës, prof. Gergana Dacheva. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve në prill të këtij viti, ky takim i sotëm i shërben përshpejtimit të procesit për hapjen e një programi të ri studimesh universitare në nivel master fillimisht dhe doktoraturë më pas, për Ballkonologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagogë të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë. Një strukturë e tillë do të ishte një institucion pionier për Shqipërinë.
“Për ne ky bashkëpunim ka rëndësi të jashtëzakonshme”, tha rektori Përzhita. “Kultura bullgare ka vendin e vet në arealin shqiptar, përfshirë dëshmitë monumentale që qytetërimi bullgar ka lënë përgjatë historisë. Por kemi edhe një komunitet shqiptar në Bullgari. Për këto dhe për shumë çështje që mbase nuk i gjen edhe në libra, është i nevojshëm bashkëpunimi, shkëmbimi dhe interpretimi, ekspeditat e përbashkëta mes profesorëve të të dy institucioneve tona, duke e çliruar kërkimin shkencor nga trusnia dhe një lloj peshe e politikës dhe mendësive të së shkuarës.”
Zëvendësrektori Valchev tha se për Universitetin e Sofjes, ky është momenti i duhur, sepse përkon me reformën universitare që po kryhet në vend dhe “St. Kliment Ohridski” po gëzon mbështetje financiare për të përmirësuar e ndërkombëtarizuar kërkimin shkencor. “Me këtë takim konfirmojmë gatishmërinë tonë për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për studimet ballkanistike”, tha prof. Valchev. “Jetojmë në një hapësirë të përbashkët dhe do të ishte mirë të shohim tërësinë e gjërave në mënyrë të përbashkët.”
Pas takimit, të ftuarit nga Sofja bënë një vizitë në Muzeun Arkeologjik në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Kujtojmë se marrëveshja mes Universitetit të Sofjes dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (The Agreement for co-operation betëeen the Academy of Albanian Studies and Sofia University “St. Kliment Ohridski”) parashikon bashkëpunimin në disa fusha: në shkëmbimin e produktit shkencor (të revistave shkencore, të punimeve monografike, të veprave me karakter përgjithësues etj.), publikimeve shkencore, të organizmit të konferencave të përbashkëta, të ligjëratave (lektoriumeve) të herëpashershme, të shkëmbimit të personelit akademiko-mësimdhënës.
Po ashtu, prillin e shkuar, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Institutin e Studimeve Ballkanike dhe qendrës për Trakologjinë, në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (the Institute of Balkan Studies & Centre for Tracology, Bulgarian Academy of Sciences, Sofia, Bulgaria).