Prof. Riza Hasa
(1950-2022)
Më datë 21 Janar 2022, u nda nga jeta profesori i përkushtuar dhe hulumtuesi në fushën e Arkeologjisë, Riza Hasa. Ai ishte një nga figurat më të spikatura të mjedisit universitar, shkencor dhe kulturor të qytetit të Elbasanit.
Lindi në Skrapar më 3 mars të vitit 1950. Kreu studimet universitare në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën histori dhe gjeografi. Pas përfundimit të studimeve të larta, nga viti 1967 deri në vitin 1983 ka kontribuar si mësues dhe drejtues në shkollat e rrethit të Elbasanit (Dragot, Belsh). Në vitin 1984, Prof. Rizai u emërua punonjës shkencor në Institutin e Shkencave/Sektori i Arkeologjisë. Vepritarinë e tij kërkimore ia kushtoi hulumtimit të gjurmëve arkeologjike në territorin përreth Elbasanit. Ndër angazhimet e tij më të rëndësishme janë gërmimet arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Lleshanit, në zonën malore të Shpatit/Elbasan. Rezultatet e disa fushata gërmimesh realizuar në këtë vendbanim janë botuar në revistën “Iliria” 1987, 1989 dhe 1990. Profesionalizmi dhe nuhatja prej një arkeologu të spikatur kanë mundësuar rënien në gjurmët e një thesari prej 2700 monedhash, dëshmi e dinamikës së zhvillimit të vendbanimit të Lleshanit gjatë periudhës qytetare Ilire. Pasioni i tij në zbulimin e të fshehtave të Lleshanit kanë sjellë si rezultat të dhëna të rëndësishme mbi natyrën e këtij vendbanimi si edhe intensitetin e përdorimit dhe dinamikat e zhvillimit dhe transformimit të tij. Si njohës shumë i mirë i materialit arkeologjik të periudhës antike ai sugjeroi orientimin kulturor të Lleshanit drejt grupit kulturor të rajonit në veri të lumit Shkumbin.
Nga viti 1994 deri në pensionimin e tij, kontriboi si pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Përgjatë kësaj periudhe ai ka qenë lektor i kurseve të Arkeologjisë dhe Historisë së Popullit Shqiptar. Në funksionin e përgjegjësit të departamentit të Arkeologjisë, dhe si anëtar i këshillit shkencor të Fakultetit të Shkencave Humane, profesor Rizai ishte një zë aktiv në vendimmarrjet e lidhura me përmirësimin e jetës akademike të fakultetit. Aktiviteti i tij në auditorin akademik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” u kurorëzua me fitimin e titullit “docent”, në 30 Janar 2014.
Pavarësisht shkëputjes nga angazhimet zyrtare në Institutin e Arkeologjisë, Profesor Rizai vazhdoi të ishte një pikë e rëndesishme referemi dhe burim i pashtershëm shkëmbimi eksperiencash me kërkuesit e këtij Instituti si edhe çdo projekt studimor me fokus në vendbanime/vendgjetje arkeologjike përgjate shtrirjes së rrugës Egnatia. Dashuria e tij për arkeologjinë e nxiti në ngritjen e laboratorit të arkeologjisë pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ku grumbulloheshin gjetje arkeologjike nga zona përreth Elbasanit. Me angazhimin e tij personal u bë i mundur studimi i materialit të këtij laboratori në bashkëpunim me kolegë të Institutit të Arkeologjisë dhe botimi i tij në Aktet e Konferencës Nderkombëtare “Risi Arkeologjike nga Trevat Shqiptare”, organizuar nga Instituti i Arkeologjisë në vitin 2017. Të dhënat e këtij materiali, me prejardhje nga një varrezë e zbuluar përmes një gërmimi të padokumentur në Mirakë kanë dhënë rezultate të rëndësishme jo vetëm mbi larminë e gjetjeve prej qeramike dhe metali por edhe kuptimin e tij në kontekstin politik dhe kulturor lokal/rajonal gjatë periudhës Romake. Natyra ushtarake e koleksionit të Mirakës është një vlerë e shtuar në njohuritë tona mbi nivelin e barbarizimit, militarizimit dhe ruralizimit të banorëve të këtij territori.
Krahas angazhimit akademik, profesor Rizai ishte aktiv në shtypin e përditshëm, botues artikujsh, informues dhe polemist, intervistuar nga media të ndryshme për çështje të pasurisë arkeologjike lokale dhe kombëtare, një intelektual i angazhuar në mbrojtje të monumenteve historike dhe arkeologjike të rrethit të Elbasanit, bashkëpunëtor plot energji në projekte kërkimore qoftë të terrenit, qoftë në hartimin e guidave historike e kulturore për rrethin e Elbasanit, mikpritës dhe udhërrëfyes pasionant në sitet arkeologjike për studentë, vizitorë, kërkues shkencorë, dashamirës të arkeologjisë dhe të monumenteve historike.
Prof.Riza Hasa ishte anëtar i këshillit shkencor botues të revistës etnokulturore “Albanon” (ISSN: 2616-6372), botim i Albanian Digital Archives and Collections, që prej themelit të saj në 2018, dhe shkrues në numrat e parë të kësaj reviste me shkrimet: “Zbulime arkeologjike në trevën e Elbasanit”, “Saraje pashallarësh në Elbasan, por kush ishte pashai?” dhe “Thesaret ‘e fshehura’ të qytetit të Elbasanit”. Ishte po ashtu hartues i disa zërave për pasurinë arkeologjike të qytetit të Elbasanit në “Elbasani-Enciklopedi”, botuar në 2003.