Në prill 2021 zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Në të njëjtin muaj më 1921 janë mbyllur zgjedhjet e para politike në Shqipëri dhe është mbledhur parlamenti i parë (Këshilli Kombëtar). Në 100 vjet proceset zgjedhore janë zhvilluar në forma të ndryshme: konkurruese 1921-1923 dhe midis 1991-2019), si dhe formale/fiktive midis 1925-1990 me përjashtime të vogla në disa elementë në proceset parlamentare e sidomos lokale (1925-1939) apo në zgjedhjet e para (1945). Lidhur me sistemin elektoral janë eksperimentuar sistemet me natyrë mazhoritare/proporcionale me dy shkallë (vitet ‘20-‘30), sistemi i pastër mazhoritar 1945-1991, sistemet miks 1992-2007 dhe sistemet me natyrë proporcionale 2008-2019, ashtu siç e drejta e votës apo administrimi i zgjedhjeve ka ndryshuar në secilën periudhë. Zgjedhjet tradicionalisht kanë qenë burim legjitimiteti ose delegjitimiteti, duke pasur ndikim direkt në stabilitetin e vendit dhe sistemin politik e qeverisës. Raporti qytetar me zgjedhjet, me votën dhe me konkurrencën politike qëndron në krye të listës së faktorëve që tipizojnë sistemet qeverisëse, nivelin e kulturës politike, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.
Kjo tematikë është e mbuluar vetëm pjesërisht nga studimet historike. Sjellja e kontributeve për secilën periudhë plotëson memorien historike, sjell një kontribut risi për Institutin dhe ndihmon sadopak edhe në diskutimin e tezave që lidhen me zgjedhjet dhe përfaqësimin në Shqipëri.
Për të debatuar në mënyrë profesionale lidhur me eksperiencat dhe mësimet historike 100 vjeçare të raportit të shoqërisë shqiptare me zgjedhjet dhe proceset zgjedhore.
Departamentet e Historisë Bashkëkohore dhe i Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar në Institutin e Historisë (ASA) do të organizojnë një konferencë bazuar në këto problematika:
- Zgjedhjet e viteve 1921 – 1923 dhe ndikimi i tyre në sistemin qeverisës në Shqipëri;
- Raportet e përfaqësimit politik gjatë Republikës dhe Monarkisë shqiptare;
- Koncepti i zgjedhjeve gjatë regjimit të “diktaturës së proletariatit” në Shqipëri;
- Përfaqësimi i Shqipërisë në KSBE/OSBE dhe ndikimi i saj në institucionin e zgjedhjeve,
- Zgjedhjet e viteve 1991 – 1992;
- Tipare të proceseve zgjedhore dhe të përfaqësimit në botën shqiptare;
- Zgjedhjet dhe legjitimiteti, zgjedhjet dhe parlamenti, përfaqësimi i elitave/grupeve gjinore në zgjedhjet shqiptare, etj.
Konferenca do të zhvillohet në datën 22 prill 2021 (vendi ku do të mbahet konferenca do të njoftohet në vartësi ë situatës së pandemisë të shkaktuar nga virusi Covid-19)
Abstraktet me propozime nuk duhet të jenë më të gjata se 250-300 fjalë dhe duhet të dorëzohen jo më vonë se data 2 mars 2021 në adresën elektonike: konferenca.ih@asa.edu.al
Pjesëmarrësit fitues do të njoftohen brenda datës 9 mars 2021.
Punimet e përfunduara duhet të dorëzohen për botim deri më 30 qershor 2021.