Takimi me temë  “Perspektiva Historike dhe QKLL”

3 Dhjetor, 2020 Njoftime

Më datë 26 nëntor 2020, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua takimi me temë  “Perspektiva Historike dhe QKLL”. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

 

Në këtë takim morën pjesë akad. prof. dr. Marenglen Verli, rektor i ASA-së, prof. dr. Hamit Kaba, prof. asoc. Sonila Boçi, prof. asoc. Ledia Dushku, studiues pranë Institutit të Historisë, dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, si dhe znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Disa nga problemet që u trajtuan në këtë takim ishin: diskutim i lirë mbi problemet aktuale të shpërndarjes dhe promovimit të librit historik, si mund të ndikojë rritja e kulturës së leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin librat historik sidomos në brezin e ri, mundësia e krijimit të një çmimi për librin më të mirë albanologjik për kulturën shqiptare, mbështetja financiare e librit albanologjik përmes përkthimit dhe paraqitjes në panairet ndërkombëtare të librit, duke filluar nga botime fondamentale si Historia e Popullit Shqiptar (disa vëllime), Fjalori Enciklopedik Shqiptar (3 vëllime) etj.

Së fundi u diskutua edhe rreth organizimit të bashkëpunimit për hartimin një strategjie kombëtare në fushat e zhvillimit të studimeve albanologjike e posaçërisht të historisë.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL