Në datën 30 tetor 2020, në Tetovë, Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Universiteti i Tetovës, i përfaqësuar nga zv/rektori, prof. dr. Reshat Qahili, nënshkruan një “Marrëveshje bashkëpunimi”, nëpërmjet të cilës, të dy palët ranë dakord të bashkëpunojnë në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre me interes të përbashkët.
Kjo marrëveshje do të përfshijë: shkëmbimin e stafit akademik, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarive kërkimore-shkencore; nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore; nxitjen, mbështetjen dhe realizmin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm); shkëmbimin e literaturës shkencore; hulumtimi i arkivave dhe bibliotekave të ASA nga personeli akademik dhe studentët e universitetit.