Komuniteti i studiuesve albanologë u trondit këto ditë nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të kolegut dhe mikut Giovanni Belluscio, profesor i gjuhës shqipe pranë Universitetit tëKalabrisë, studiues i dialekteve dhe fonetikës arbëreshe dhe shqipe.
Gianni Belluscio ishte diplomuar dhe doktoruar në Universitetin e Kalabrisë dhe që nga fillimet e jetës së tij shkencore u mor me studimin e të folmeve arbëreshe, me përqendrim të veçantë në fonetikë. Fillimisht nën drejtimin dhe me bashkëpunimin e studiuesit të shquar të fonetikës e fonologjisë prof. John Trumper, ai arriti në këto fusha të bëhej një nga specialistët më të mirë në botën e sotme albanologjike. Përvoja e gjatë e studimeve e kërkimeve në terren e kishte çuar në ndërmarrjen e një projekti mbi studimin e fonetikës së të gjithë dialekteve arbëreshe në Italinë e Jugut, për të cilin punonte me përkushtim. Interesat e tij shkencore shtriheshin në shumë fusha të tjera: leksikologji e leksikografi, onomastikë, terminologji, folkloristikë, etnomuzikologji, sociolinguistikë, analizë teksti, filologji tekstesh, gjuhësi të zbatuar,didaktikë etj. Belluscio ishte gjuhëtar i kërkimit në terren dhe në laborator. Studimet e tij mbështeteshin në material faktik të vjelë në ekspedita kërkimore dhe në analiza laboratorike, çka u jepte atyre karakter të mirëfilltë shkencor. Vitet e fundit ai kishte ndërmarrë ekspedita dialektologjike edhe në veriun e Shqipërisë për të hulumtuar të folmet dhe kulturën e zonave malore, duke kontribuar, bashkë me Monica Genesin, në dialektologjinë e fonetikën e të folmeve të shqipes. Ai ka lënë një pasuri të çmuar dialektore duke regjistruar materiale zanore të shumta nga terreni.
Belluscioka dhënë ndihmesa të rëndësishme edhe në përkthimin e poezisë shqipe në italisht, sidomos të poezisë së Kadaresë. Ai shquhej dhe si poet i ndjeshëm me frymë lirike e plot kolorit.
Bashkëpunimin me albanologjinë shqiptare ai e ka realizuar, ndër të tjera, përmes pjesëmarrjeve të rregullta në Seminaret e Prishtinës, në konferenca të ndryshme në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, si dhe duke kontribuar në revista të ndryshme shkencore shqiptare. Ftesave të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë për pjesëmarrje në konferenca ai u është përgjigjur me gatishmëri e kënaqësi, si në konferencën “Pikësimi në gjuhën shqipe”, Tiranë, 2018, dhe në konferencën kushtuar 200 – vjetorit të lindjes së Santorit në dhjetorin e shkuar, ku me pasionin që e karakterizonte paraqiti mjaft të dhëna interesante e të të panjohura më parë lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Santorit.
Me shuarjen e prof. Giovanni Belluscios, komuniteti i albanologëve humbi një nga anëtarët e tij të shquar dhe gjuhësia e letërsia arbëreshe e shqipe hulumtuesin e pasionuar.
Në emër të kolegëve të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij.
Qoftë i paharruar kujtimi i prof. Giovanni Belluscios!
Kontributi profesional e shkencor i Giovanni Belluscios mund të shihet në linkun e mëposhtëm: |
|