Në datat 16-18 dhjetor 2018, Instituti i Arkeologjisë, Departamenti i Antikitetit (Akademia e Studimeve Albanologjike) në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës (Itali), organizuan në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, salla “Aleks Buda”, konferencën shkencore ndërkombëtare, “L’Archeologia della morte in Illiria e in Epiro. Contesti, Ritualità e Imagini tra età ellenistica e romana (Arkeologjia e Vdekjes në Iliri dhe Epir. Kontekstet, Ritualiteti dhe Imazhet gjatë periudhave Helenistike e Romake)”.
Nëpërmjet kumtesave të shumta, posterave dhe diskutimeve, u trajtuan tematika të rëndësishme që prekin njëherazi kontekstet funerare, vendet e kujtesës kolektive dhe aspektet monumentale, ritet, stelat dhe mesazhet që transmetojnë të dhënat epigrafike, natyra e artefakteve dhe “mesazhet” që transmetohen në mënyrën e trajtimit të kategorive të caktuara të individëve, si fëmijët dhe vajzat e djemtë e rinj, “heroizimi” i të vdekurit, identiteti dhe mesazhet ideologjike, arkeologjia e peizazhit, mobiliteti i mallrave dhe njerëzve, etj.
Kjo konferencë bëri bashkë studiues të shumtë nga shumë institucione kërkimore dhe universitete evropiane, Itali, Francë, Greqi, Britani e Madhe dhe Gjermani, të cilët i zhvillojnë kërkimet e tyre në qendra të rëndësishme arkeologjike në territoret antike të Ilirisë, Epirit dhe Magna Graecia-s.
Konferenca pati një interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga specialistë të arkeologjisë dhe antropologjisë kulturore e fizike, por edhe studentë të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës dhe universitete të huaja, duke e kthyer Tiranën, edhe kësaj here, në qendrën e debatit shkencor ndërkombëtar.