Tragë: Kujtesa letrare e Kosovës përmes Arkivit Rilindja 1945-1999 Me Ervina Halilin

9 Dhjetor, 2019 Njoftime
Partia Komuniste Jugosllave vendosi të themelonte dy gazeta në Kosovë, njërën në gjuhën shqipe dhe tjetrën në gjuhën serbokroate. Ajo në gjuhën shqipe u quajt Rilindja dhe u themelua në vitin 1945. Deri në vitin 1990, gazeta në fjalë – e cila kishte shtatë ente në përbërje të vet, duke përfshirë redaksinë e botimeve dhe shtypshkronjën – ishte motori kryesor i tërë veprimtarisë arsimore dhe letrare në Kosovë. Ndonëse e kontrolluar dhe në shërbim të propagandës e promovimit të jetës socialiste jugosllave, ajo kontribuoi në formimin e komunitetit letrar, korrespondencave letrare në gjuhën shqipe.
Titoja vdes në vitin 1980 dhe më 11 mars të vitit 1981 shpërthejnë protestat e studentëve në Prishtinë, protesta që brenda pak ditësh masivizohen në demonstrata popullore që kishin si kërkesë kryesore “Kosovën Republikë”. Këto acarime vazhdojnë deri në vitin 1990, moment kur fillojnë masat e dhunshme në institucionet informative të cilat bëjnë presion të dhunshëm që gazeta Rilindja të shpallet organ i Kuvendit të Serbisë. Pas kundërshtimit dhe rezistencës së punëtorëve, ajo ndalohet. Jeta e Rilindjes vazhdon në Tiranë dhe në Zvicër me emrin e njëjtë, ndërsa në Prishtinë me emrin e maskuar të revistës bujqësore Bujku. Kjo zgjati deri në vitin 1998.
Në vitin 2002, me rregulloren e UNMIK-ut, Ndërmarrja e Përbërë “Rilindja”, hyri nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit i cili më pas u shndërrua në Agjensioni Kosovar i Privatizimit. Kjo bëri që institucioni në fjalë të lihej në harrësë dhe jashtë çdo përkujdesi.


Duke e marrëparasysh që të gjithë shkrimtarët e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të lidhur me këtë ent botues, jemi munduar të krijojmë një arkivë alternative muzeale përmes historive orale, video arkivave, dorëshkrimeve, fotografive dhe të gjitha materialeve të harruara nga Rilindja, por të ruajtura në arkiva private, si edhe të materialeve të cilat u krijuan gjatë viteve 1990-1999, kur Rilindja funksiononte si Bujku dhe arkivi i saj ruhej jashtë institucionit zyrtar.
Arkivi zyrtar i Rilindjes do të mund të sillte dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me jetën institucionale të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Por, për momentin ai nuk ekziston, ndaj krijimi i kësaj arkive është një lloj përgjigjeje alternative, duke pasqyruar jetën emocionale kolektive dhe individuale të narrativës së Kosovës në po këtë periudhë.

http://arkivirilindja.com/

Ervina Halili është shkrimtare dhe studiuese e letërsisë, me fokus të vecantë te miti. Ajo ka kryer hulumtime në fushën e automatizmit kolektiv dhe psikologjisë kolektive. Libri i saj Amuletë mori çmimin vjetor në vitin 2015 në Kosovë, ndërsa Gjumi i Oktopodit u përkthye dhe botua në gjuhën gjermane në Vjenë, në vitin 2016. Për këtë botim ajo u vlerësua nga “Landis&Gyr Stiftung në Zvicër. Ka qenë pjesë e disa qëndrimeve letrare, projekteve kulturore mbi muzetë dhe panaireve ndërkombëtare si: IHAG – Graz, Museums Quartier – Vjenë etj. Në vitin 2018 punoi në Universitetin e Zyrihut, pranë Departamentit të Psikopatologjisë dhe Studimeve Interkulturore.
IAKSA, të martën, ora 11, salla Rrok Zojzi
 

 

 

 

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL