Më datë 10 dhjetor 2019, u organizua në ambientet e IAKSA ligjërata e katërt e ciklit “Tragë”. E ftuara e radhës ishte Ervina Halili, shkrimtare dhe studiuese. Ajo foli për historinë e Rilindjes, enti më i rëndësishëm për botimin, gazetarinë dhe letërsinë në Kosovë. E krijuar pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, gazeta në fjalë ishte motori kryesor i tërë veprimtarisë arsimore dhe letrare në Kosovë. Ndonëse e kontrolluar dhe në shërbim të propagandës e promovimit të jetës socialiste jugosllave, ajo kontribuoi në formimin e komunitetit letrar dhe korrespondencave letrare në gjuhën shqipe. Ngjarjet e viteve ’80 dhe masivizimi i protestave çuan ndalimin e saj. Jeta e Rilindjes vazhdon më pas në Tiranë e në Zvicër me emrin e njëjtë, ndërsa në Prishtinë me emrin e maskuar të revistës bujqësore Bujku. Kjo zgjati deri në vitin 1998.
Mbyllet përfundimisht në 2002. Pallati 18 katësh që dikur strehonte zyrat kalon në administrimin e Agjensionit kosovar të privatizimit gjë që çon në degradimin e arkivave dhe materialeve të shumta me vlerë arkivore. Znj. Halili, falë një pune sistematike mbledhjeje materialesh kryesisht nga arkiva private, te kombinuar dhe me intervista me punonjës ka mundur të risjellë në vëmendje punën e çmuar që është bërë dhe historinë e këtij enti. Përmes kësaj pune sot kemi një platformë online (http://arkivirilindja.com/historiku/65) e cila funksionon si një arkivë alternative muzeale përmes historive orale personale, video arkivave, dorëshkrimeve, fotografive dhe të gjitha materialeve të harruara nga Rilindja, por të ruajtura nga njerëzit që punuan për të. Prezantimi i znj. Halili u shoqërua edhe me shfaqjen e një filmi dokumentar realizuar prej saj.