Viti 2019 shënoi një përvjetor të rëndësishëm dhe një ngjarje të shënuar për historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Bëhet fjalë për 200 – vjetorin e lindjes së Franqisk Anton Santorit (Picilì, 16 shtator 1819 – Shën Japk, 7 shtator 1894).
Santori është cilësuar nga studiuesit si më prodhimtari ndër shkrimtarët arbëreshë të shek. XIX, autor themelues i disa gjinive letrare në trashëgiminë e shqiptarëve. Ka lëvruar në arbërisht: poezi, sonete, poema, novela në vargje, dramë, melodramë, tragjedi, komedi, satirë, fabula, roman.
Për ta përkujtuar Santorin, për ta parë atë dhe veprën e tij në një këndvështrim të ri, nën dritën e zbulimit e botimit të veprave të reja, për të ridimensionuar rolin dhe vendin e tij në trashëgiminë gjuhësore e letrare të shqiptarë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike, në kuadrin e veprimtarisë “Ditët e Albanologjisë”, organizon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë: FRANQISK A. SANTORI DHE TRASHËGIMIA GJUHËSORE E LETRARE SHQIPE.
Konferenca do të zhvillohet ditën e premte , më 20 dhjetor 2019, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.