330-vjetori i largimit nga jeta të Imzot Pjetër Bogdanit

17 Dhjetor, 2019 Njoftime

Më datën 6 dhjetor 2019, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u zhvilluan një sërë aktivitetesh në përkujtim të 330-vjetorit të largimit nga jeta të Imzot Pjetër Bogdanit, një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë së vjetër shqipe, prelat i letrave shqipe, por dhe personalitet i spikatur diplomatik i kohës në të cilën jetoi. Këto aktivitete të organizuara nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë u konkretizuan më së pari në një konferencë shkencore në të cilën morën pjesë studiues të disa fushave, që kontribuan të vinin në pah dimensione të rëndësishme të profilit të Pjetër Bogdanit, që u largua nga jeta pikërisht më 6 dhjetor të vitit 1689. Kumtuan në këtë konferencë prof. dr. Anila Omari, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASA, me temën me titull “Relacioni i vizitës apostolike të Bogdanit(1658) dhe mbishkrimi i Kishës së Shirgjit”,

si dhe prof. asoc. dr. Evalda Paci, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASA, me temën me titull “Dimensioni i shkrimtarit dhe i lëvruesit të gjuhës në personalitetin e Pjetër Bogdanit”.

Kjo konferencë që shërbeu më së miri për të vënë në dukje kompleksitetin e kontributeve që një prelat si Bogdani la pas për brezat, u shoqërua me meshën solemne përkujtimore të mbajtur në ambientet e Katedrales së Prishtinës dhe me një ceremoni po aq solemne të rivarrimit simbolik të Imzot Pjetër Bogdanit në kriptën nën Katedrale, drejtuar nga autoritete kishtare të Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë.

 

 

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL