Dita e tretë e tryezës shkencore: “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”

7 Nëntor, 2019 Njoftime

Nën moderimin e prof. dr. Hamit Kabës, u zhvillua sot tryeza shkencore: “Shqiptarët dhe Aleatët e Mëdhenj (Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik) gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Kjo tematikë përmbylli tre ditët e debatit shkencor “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, aktivitetit i organizuar nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.


Studiues nga Tirana dhe Prishtina sollën në vëmendje një sërë problematikash që lidhen me qëndrimin e Aleatëve të Mëdhenj ndaj Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore.
– Prof. Dr. Hamit Kaba mbajti referatin “Shqiptarët dhe projekti britanik për zbarkim në Ballkan”;
– drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, prof. asoc. dr. Sabit Syla trajtoi çështjen “Kosova ndërmjet Fuqive të Boshtit dhe Aleatëve të Mëdhenj Perëndimorë”;
– prof. Jakup Krasniqi mbajti kumtesën “Shqiptarët dhe çështja e bashkimit gjatë Luftës së Dytë Botërore”; drejtori i Muzeut Historik Kombëtar,
– dr. Dorian Koçi referoi “Shqipëria dhe aleatët britanikë, 1943-1944: miqësi dhe paragjykime”;
– prof. dr. Ksenofon Krisafi referoi mbi “Njohjen ndërkombëtare të regjimit të ri politik në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore”;
– prof. dr. Romeo Gurakuqi me referimin e tij hodhi tezën nëse është njohur regjimi i Enver Hoxhës nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA 1945-1946?

Ashtu si në tryezat e mëparshme, edhe në këtë të fundit, të pranishmit diskutuan për shumë nga çështjet e parashtruara nga referuesit, por edhe për tematika të tjera të debatueshme të historisë së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL