Konferenca shkencore me temë: “A. SANTORI DHE TRASHËGIMIA GJUHËSORE E LETRARE SHQIPE”

22 Tetor, 2019 Njoftime

Viti 2019 shënoi një përvjetor të rëndësishëm dhe një ngjarje të shënuar për historinë e gjuhës dhe letërsisë shqipe: 200 vjetorin e lindjes së Franqisk Anton Santorit (Picilì, 16 shtator 1819 – Shën Japk, 7 shtator 1894).

Santori është cilësuar nga studiuesit si më prodhimtari ndër shkrimtarët arbëreshë të shek. XIX, autor themelues i disa gjinive letrare në trashëgiminë e shqiptarëve. Ka lëvruar në arbërisht: poezi, sonete, poema, novela në vargje, dramë, melodramë, tragjedi, komedi, satirë, fabula, roman.

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, në kuadër të Ditëve të albanologjisë të organizuara nga Akademia e Studimeve Albanologjike, do të organizojë konferencën shkencore me temë: “A. SANTORI DHE TRASHËGIMIA GJUHËSORE E LETRARE SHQIPE”.

Objektivi i kësaj konference është:

  • të paraqitet kontributi i Santorit si dokumentues dhe pasurues i shkrimit shqip në shekullin XIX;
  • të paraqitet dhe studiohet kontributi i tij si inaugurues i disa gjinive letrare në letërsinë shqipe;
  • të rivlerësohet krijimtaria e tij letrare në dritën e zbulimeve dhe botimeve kritike të veprave letrare apo varianteve të tyre.

Në këtë konferencë është angazhuar thuajse e gjithë trupa e kërkuesve shkencorë të IGJL-së, si edhe kërkues të ardhur nga universitete të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë.

Konferenca do të mbahet në Tiranë,  më 20 dhjetor 2019.

 

 

 

 

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL