Departamenti i Folklorit të IAKSA-së në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, ditën e mërkurë, më datë 02.10.2019, ora 11.00, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, organizon takimin e radhës të ciklit Tragë, me temë: “Zymer Neziri, 40 vjet studime mbi Eposin e Kreshnikëve”.
Ligjërata e dytë e ciklit “Tragë” mirëpret prof. dr. Zymer Nezirin një prej studiuesve më të njohur të Eposit të Kreshnikëve. Puna e tij kërkimore e studimore shtrihet në një hark kohor 40 vjeçar, gjatë të cilit ai është marrë me mbledhjen, regjistrimin dhe botimin e Eposit të Kreshnikëve. E ka filluar me projektin e parë : Epika legjendare e Rugovës: këngë të kreshnikëve dhe balada, duke hulumtuar në gjithë katundet e krahinës së Rugovës, me rreth 150 lahutarë. Këngët e incizuara dhe deshifruara sot ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vijim, puna kërkimore është zgjeruar nga ana gjeografike, duke përfshirë edhe krahina të tjera, si pjesë e projektit për trashëgiminë kulturore shqiptare në Ballkan (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi. Gjithashtu, pjesë e interesave të tij kanë qenë edhe hulumtimet nëpër arkiva, ndër to ai me fondin e Milman Parry-it dhe Albert Lord në Universitetin e Harvard-it dhe në bashkëpunim me studiues të tjerë të huaj.
Profesor Neziri do të na flasë për përvojën e vet të gjatë në terren dhe si studiues mbi një temë të cilës i është përkushtuar plotësisht gjatë karrierës së tij profesionale. Kjo na jep mundësinë të njihemi me metodologjinë e punës, me traditat e studimit, si dhe me gjendjen aktuale të studimeve në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar.
Biografi e shkurtër
Zymer Ujkan Neziri (1946) studiues i folklorit, me fokus të veçantë tek epika. Puna e tij kërkimore përfshin edhe tema nga etnologjia, letërsia e historia. Është diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Më 1971 ka filluar punë në Institutin Albanologjik të Prishtinës si asistent. Më 1973, përjashtohet me urdhër politik dhe rikthehet vetëm më 1992. Gjatë kësaj kohe ka punuar në mënyrë të pavarur me kërkimet e veta mbi eposin.
Ka qenë udhëheqës i Degës së Folklorit dhe anëtar i redaksisë së revistës Gjurmime albanologjike, si dhe ka dhënë mësim në universitet në Prishtinë, Prizren, Shkup e Tetovë, dhe i ftuar në universitetet e Austrisë, Francës, Italisë, Polonisë e Shqipërisë.
Ka paraqitur kumtesa në konferenca shkencore në Ballkan, Evropë, Azi dhe Amerikë, nga fusha e epikës gojore shqiptare. Është autor, bashkautor dhe përgatitës për shtyp i rreth 20 veprave, ndër të cilat tetë janë për Eposin e Kreshnikëve: tri me studime, tri me këngë dhe dy antologji.
Në terren ka realizuar dy projekte të mëdha për Eposin e Kreshnikëve. Të parin (1979-1988), në krahinën e Rugovës dhe të dytin (2012-2016), në pesë shtete të Ballkanit. Në arkiva të jashtme ka realizuar dy qëndrime studimore: në Vjenë (2005) e në Harvard (2002 e 2007). Është bashkëredaktor i projektit Harvardit për botimin e këngëve shqipe të koleksionit të Milman Parry-it bashkë me David Elmer (Universiteti i Harvardi-t), Nicola Scaldaferri (Universiteti i Milano-s) dhe John Kolsti (Universiteti i Teksas-it në Austin).
Edhe në Akademinë e Shkencave dhe në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë ka realizuar projektin “Dorëshkrimet shqip të folklorit të Maximilian Lambertz-it.
Është organizator ose bashkorganizator i shumë konferencave, simpoziumeve e sesioneve shkencore. Më 2010 e 2014 ka organizuar dy konferenca të mëdha shkencore ndërkombëtare të Institutit Albanologjik dhe të QSA-së së Tiranës, për Eposin e Kreshnikëve.
Ka qenë anëtar ose mentor në shumë komisione për magjistratura e doktorata dhe referues për tituj shkencorë e arsimorë. Ka marrë çmime profesionale kombëtare e ndërkombëtare, e ndër to çmimin “Pjetër Bogdani” (LSHK, 2009), çmimin Medalja e Artë (SHBA, 2012), çmimin Mendim Special nga Europa Nostra (Spanjë, 2016). Është anëtar i dy shoqatave të mëdha ndërkombëtare të folklorit e të etnologjisë, me seli në Hagë e në Pekin.
Më 2014 është shpallur Qytetar Nderi i Bajram Currit. Është në krye të Komisionit qeveritar të Kosovës për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për UNESCO-n.