Më 27 qershor 2019, në kuadër të veprimtarive shkencore të tipit Lectorium, të planifikuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASA-së për vitin 2019, në sallën e bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë profesor Tomorr PLANGARICA mbajti ligjëratën e dytë të titulluar “Kohësia/Temporaliteti, aspektualiteti dhe modaliteti në pikëvështrimet e gjuhësisë kognitive dhe studimi i këtyre kategorive të foljes në gjuhën shqipe”.
Përmes një vështrimi përgjithësues, ligjëruesi u përqendrua fillimisht në qasjet ndaj këtyre kategorive gjuhësore në mendimin gjuhësor të traditës (madje duke hedhur vështrimin qysh nga antikiteti e duke e ndjekur problematikën që shfaqet gjithnjë e më e pasur në mendimin gjuhësor në faza të ndryshme të evoluimit të tij, me arritje të rëndësishme në gjuhësinë strukturore e gjenerative).
Po ashtu ligjëruesi solli informacion edhe për përpjekjet me vlerë të gjuhëtarëve shqiptarë (brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë e përtej tyre, në Kosovë e më gjerë) në shqyrtimin e këtyre kategorive të foljes në gjuhën shqipe.
Por në mënyrë të veçantë ai u përqendrua në prurjet e sotme të teorive të të thënit e të gjuhësisë kognitive, ku vështrohet si një continuum raporti i pakundërshtueshëm mes perceptimit, kognicionit/njohjes dhe gjuhës/ligjërimit.
Duke theksuar përparësinë që sjell ndërdisiplinariteti në shqyrtimin e këtyre kategorive, ligjëruesi u përqendrua në disa aspekte e tregues parësorë që parashtrohen aktualisht për shqyrtimin e këtyre kategorive në gjuhën shqipe, të tillë si : nocionet e reja që çojnë natyrshëm në shqyrtimin e invarianteve dhe prototipeve kuptimore; vënia në dyshim e tezës dhe përcaktimeve tradicionale që mohojnë në shumë gjuhë aspektin; mbizotërimi i idesë që koha gramatikore dhe aspekti mbështeten mbi të gjithë lidhjen predikative dhe jo vetëm në predikatin leksikor; përdorimi i paraqitjeve figurale në shqyrtimin e kategorisë kohore-aspektore dhe invarianteve e organizimeve prototipike; rishikimi i konceptimit të analizës gjuhësore në lidhje me kohën; skemat përgjithësuese që mundësojnë pasqyrimin e fushave kognitive dhe raportet e varësitë që përvijohen mes tyre etj.
Më tej ligjëruesi u përqendrua në raste konkrete të interpretimit të dukurive gjuhësore, duke u mbështetur në konceptet, metodologjitë dhe aparatin formalizues të përpunuar tashmë në kahje të caktuara të gjuhësisë kognitive, të cilat mund të përdoren në mënyrë të efektshme në shqyrtimin e këtyre kategorive në përdorimet gjuhësore të natyrave e regjistrave të ndryshëm gjuhësorë në gjuhën shqipe.
Në përfundim të ligjëratës, diskutuesit shtruan nevojën e vijimit të interesimeve në këtë hulli shqyrtimi, si dhe të shtrirjes së këtyre informacioneve, koncepteve, metodave e modeleve të analizës në mjediset universitare e te mësuesit e gjuhës shqipe.