“Kohësia/Temporaliteti, aspektualiteti dhe modaliteti në pikëvështrimet e gjuhësisë kognitive dhe studimi i këtyre kategorive të foljes në gjuhën shqipe” – ky është titulli i ligjëratës që prof. dr. Tomorr PLANGARICA do të mbajë ditën e enjte, më 27.06.2019, në orën 10.00, në sallën e bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë, në kuadër të lectorium-ve të planifikuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike për vitin 2019.
Çështjet që do të trajtohen:
- Kategoria gramatikore e kohës – ndër kategoritë që ka tërhequr më shumë vëmendjen e studiuesve të shqipes.
- Vështrim (skematik) i tri etapave të trajtimit teorik të dukurive gjuhësore në mendimin gjuhësor perëndimor : prej gramatikave tradicionale (përmes qasjeve preskriptive), në strukturalizëm (përmes qasjeve deskriptive), për të arritur në analizat e diskursit dhe gjuhësinë kognitive, përmes qasjes kontekstualiste, enonciative dhe paraqitjeve mentale ikoniko-skematike.
- Përpjekjet shqyrtuese pas gjuhësisë strukturore dhe asaj gjenerative që i lënë vend thëniepërftuesit në përshkrimet metagjuhësore. Tri gjuhësitë :
- Gjuhësia e UNË ose gjuhësia e subjektit folës ;
- Gjuhësia e UNË dhe TI ose gjuhësia e komunikimit ;
- Gjuhësia UNË-TI ose gjuhësia e dia-logëve.
- Zbulimi i aspektit subjektiv në ligjërim dhe përqendrimi i vëmendjes edhe në procesin e përdorimit të gjuhës, në procesin pragmatik të të thënit.
- Kohësia dhe aspektualiteti – objekt shqyrtimesh të veçanta në teorinë e enonciacionit dhe gjuhësinë kognitive.
- Ndërdisiplinariteti si prirje për shqyrtime të thelluara të kategorive gjuhësore, mes tyre edhe të kohësisë dhe aspektualitetit.
- Kohësia si koncept në evoluim në shqyrtimet shkencore.
- Konceptet në shqyrtim – konceptet topologjike si mundësi shqyrtimi përgjatë formalizimit : dallimet aspektore mes gjendje, ngjarje, proces/procesus, intervale topologjike të vlefshmimit të lidhjeve predikative, invariant semantik, proces i të thënit, etj.
- Referencialët kohorë fenomenalë dhe referencialët kohorë gjuhësorë.
- Zbatimi i teorive të përftuara nga gjuhësia kognitive për studimin e kohësisë, aspektualitetit e modalitetit në gjuhën shqipe. Skemat përgjithësuese që mundësojnë pasqyrimin e fushave kognitive:
- Përvijimi kognitiv i një forme foljore ;
- Fushat e përvojës dhe mënyra dëftore ;
- Skema semantiko-kognitive e së tashmes së dëftores ;
- Skemat kognitive të kohëve të së shkuarës.