“Të studiosh poezinë si art i ligjërimit”, ligjëratë e mbajtur nga prof. Tomorr Plangarica

21 Qershor, 2019 Njoftime

Ditën enjte, më 20. 06.2019, në sallën e bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë prof. Tomorr Plangarica mbajti ligjëratën « Të studiosh poezinë si art i ligjërimit » (në vijim të veprimtarive (të tipit lectorium-e) të planifikuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë për vitin 2019).

Në ligjëratën e tij prof. dr. Plangarica synoi të vërë në dukje interesimet dhe kontributet e gjuhëtarëve të shquar, si Sosyri, Jakobsoni, Koseriu, Veinrihu, etj. në konceptualizimin e vetive dhe natyrës së diskursit poetik dhe, në mënyrë të veçantë, u përqendrua në veprën postum-e të E. Benvenistit  “Baudelaire” (2011), e cila synon të jetë një gramatikë poetike e ligjërimit poetik të Bodëlerit (madje,  si një mëtim edhe më i gjerë, kjo vepër synon të përvijojë një « fenomenologji të ligjërimit »).

Parashtrimet e bëra dhe argumentet e sjella nga ligjëruesi synonin të nxirrnin në pah nevojën për të parë e trajtuar në këtë tip të veçantë të diskursit natyrën ikonike të përftimit të tij dhe qartësimin e proceseve të analizës e interpretimit të tij, nisur nga ky parakusht. Rëndësi të veçantë ligjëruesi i kushtoi problemit : E pavetëdijshmja dhe evokimi në ngjizjen e mesazhit/tekstit poetik dhe qasjet konjitiviste në ndihmë të interpretimit të dukurive poetike.

Në parashtresën e bërë, prof. Plangarica u kujdes të kombinonte informacionet për qasjet e sotme  të natyrës teorike në shqyrtimin e kësaj problematike, me vështrimet e përvijuara historikisht, qysh nga antikiteti.

Prurjet teorike ligjëruesi i përdori më tej si mbështetje për përvijimin e një varianti leximi të poezisë Kristal të Ismail Kadaresë.

Problemet e parashtruara ngjallën diskutime mes studiuesve pjesëmarrës dhe dialogimet mes tyre theksuan nevojën për trajtesa të mëtejshme të kësaj problematike në mjediset tona shkencore.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL