Dita Ndërkombëtare e Muzeve

16 Maj, 2019 Njoftime

Për çdo vit, në 18 maj – Ditën Ndërkombëtare të Muzeve – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) organizon dhe koordinon aktivitete të larmishme kulturore dhe sociale që kanë në fokus rritjen dhe ndërgjegjësimin e publikut për rolin që luajnë muzetë në zhvillimin e shoqërisë. Tema e sivjetshme: “Muzetë si Qendra Kulturore: e ardhmja e traditës” është përqendruar në transformimin e vazhdueshëm të muzeve si qendra kulturore, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të platformave të reja për të paraqitur koleksionet, historinë dhe trashëgiminë kulturore.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në bashkëpunim me ICOM Shqipëria, organizojnë më datë 17 maj 2019, ora 11.00, në sallën “Rrok Zojzi” pranë IAKSA-s, veprimtarinë kulturore: “Muzeu dhe fondet etnografike: tradita dhe e ardhmja”. Në fokus të këtij aktiviteti është ligjërata e prof. dr. Afërdita Onuzi, një nga autoritetet më në zë të kësaj fushe. Tematika do të përqendrohet në rëndësinë dhe pasurinë e madhe të koleksionit etnografik të IAKSA-s dhe nevojën e ngutshme të përdorimit të këtij fondi për funksione muzeale, si një realitet i prekshëm dhe i vizitueshëm për një audiencë të gjerë.

Fondet etnografike të IAKSA-s do të shërbejnë në këtë ditë si qendër kulturore, informimi dhe dialogu dhe do të jenë të hapura për vizita, për t’i dhënë mundësinë publikut të gjerë të njihet nga afër me këtë thesar të trashëgimisë sonë kulturore.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL