Në datën 07. 05. 2019, në sallën Rrok Zojzi nisi udhëtimin Tragë: Cikël ligjëratash rreth folklorit, traditës, arteve dhe trashëgimisë kulturore, organizuar nga Departamenti i Folklorit – IAKSA. Interesi për të eksploruar lidhjet konceptuale dhe ato të botës reale mes trashëgimisë kulturore, folklorit, traditës dhe arteve është në qendër të këtij cikli që synon të bëjë studiues të profileve të ndryshëm.
Ligjërata e parë e ciklit Tragë u mbajt nga prof. asoc. dr. Merita Bruci (Instutit i Gjuhësisë dhe Letërsisë). Studiuesja Bruci ligjëroi mbi Franqisk Anton Santorin, në një vit që përkon edhe me 200 vjetorin e lindjes së tij. Santori është një autor pak i njohur, por i studiuar prej shumë kohësh nga Merita Bruci, me kontribute të rëndësishme të natyrës filologjike, të botuara tanimë.
Në këtë kuadër, ajo bëri një hyrje mbi kontekstin social kulturor në të cilin punoi Santori dhe lidhjet e tij me figura të tilla si De Rada. Më pas paraqiti një panoramë të burimeve arkivore e gjendjes së studimeve. Në pjesën e tretë, ajo u ndal te Santori si mbledhës i lëndës folklorike, një punë që i shërbeu Santorit edhe si pikënisje për vepra të tjera letrare.
Sot kjo punë e Santorit na shërben për të eksploruar një pjesë të rëndësishme të jetës së arbëreshëve në shekullin e XIX dhe nga kjo pikëpamje, “vepra e tij mbetet ende për t’u zbuluar e hulumtuar”, theksoi në mbyllje të fjalës së saj, studiuesja Bruci.