Prof. Asoc. Dr. Enkeleida Kapia morri pjesë në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar në Universitetin Katolik të Leuven-it në Belgjikë me kumtesën e saj: “Roli i faktorëve sintaksorë dhe prozodikë në realizimin e gjymtyrëzimit aktual në shqipe”. Në këtë kumtesë u trajtua dukuria e gjymtyrëzimit aktual në shqipe, në të folmen e të rriturve dhe të folmen e fëmjëve. Risia e kësaj trajtese ishte përcaktimi i faktorëve prozodikë për shqipen për këtë dukuri, të cilat mbeten ende të patrajtuara në Albanologji.
Po ashtu, për gjuhësinë teorike, trajtesa u vlerësua për kontributin e saj mbi marrëdhënien e sintaksës dhe prozodisë në përvetësimin e gjuhës nga fëmijët. Njohja mirë e faktorëve të tillë (sintaksorë dhe prozodikë) na shërben në përcaktimin e hapave zhvillimorë gjuhësorë te fëmija, sidomos tek fëmijët me sindromën e Autizmit, të cilët kanë tipare të theksuara të mungesës së prozodisë në të folmen e tyre.