Seminari permanent “Përthyerje antropologjike”

24 Prill, 2019 Njoftime

Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare njofton për takimin e radhës të seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, në datën 26 prill 2019, ora 17:00, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare.

E ftuar, prof. asoc. dr. Florina Jerliun, aktualisht lektore e historisë, teorisë dhe trashëgimisë arkitekturore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. 

Abstrakt

Kosova ka trashëguar një fond të jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore, i cili fatkeqësisht nuk u hulumtua dhe nuk u integrua në mënyrë objektive në sistemin e mbrojtjes pas Luftës së Dytë Botërore, kur edhe u vendos sistemi i administrimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ky sistem ishte hallkë e një programi kompleks të Serbisë që e vazhdoi kauzën e dezintegrimit të elementit shqiptar dhe të diversitetit dhe shprehjes kulturore të popullit të Kosovës, të nisur që me rënien e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e saj nga Serbia. Sot, trashëgimia kulturore e Kosovës e mbrojtur me ligj, reflekton synimet shtetërore për përfaqësim objektiv të vlerave materiale dhe jomateriale të kulturës kosovare. Megjithatë, ajo vazhdon t’i ndiejë pasojat e politikës së diferencimit etnik, të trashëguar nga listat e regjimit të kaluar serb.

Edhe Aneksi V i Planit të Ahtisarit mbi trashëgiminë fetare (kryesisht ortodokse) bashkë me dokumentet tjera obliguese ndërkombëtare për Kosovën, kanë luajtur rol qenësor në përcaktimin e kornizës territoriale dhe juridike të një pjese të trashëgimisë kulturore në Kosovë, e cila si pasojë ka aktualizuar konceptin e identiteteve të lokalizuara, të formësuara përgjatë linjave etnike. Efekt i drejtpërdrejtë i këtij aspekti të ri kulturor dhe politik mbetet nënshtrimi i qendrave historike ndaj ndërtimeve të pakontrolluara, si dhe përjashtimi i trashëgimisë së tyre kulturore nga procesi i planifikimit urban dhe ndërtimit të identitetit kulturor në linjë me konceptet evropiane.

Biografi

Prof. asoc. dr. Florina Jerliu është lektore e historisë, teorisë dhe trashëgimisë arkitekturore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është aktive në fushën e trashëgimisë kulturore nëpërmjet pjesëmarrjes në komisione të ndryshme dhe projekte të zhvilluara nga MKRS, si: projekti për Parkun Arkeologjik Ulpiana, Strategjia Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2017-2027, Ekspozita e Muzeut të Kosovës, përfshirë dokumentimin e trashëgimisë arkitekturale që zhvillohet në bashkëpunim midis UP-së dhe MKRS-së. Jerliu është gjithashtu aktive në sektorin e shoqërisë civile, si themeluese e fondacionit për arkitekturë dhe urbanizëm “Archis Intervention Prishtina” (pjesë e rrjetit ndërkombëtar Archis Intervention) dhe bashkëthemeluese dhe anëtare e bordit të organizatës “Iniciativa Kosovare për Stabilitet”. Ka shërbyer si anëtare e Këshillit Drejtues të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve gjatë periudhës 2016-2018, ndërsa në vitet 2003-2008 ka qenë kryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës. Jerliu është autore e një sërë punimesh shkencore, si dhe autore e dy librave: Mbrojtja e trashëgimisë ndërtimore (2016) dhe Trashëgimia kulturore e KosovësKonceptet dhe kontekstet e mbrojtjes (2017). Në vitin 2017, Jerliu është shpallur fituese e çmimit vjetor për veprën shkencore “Zef Mirdita”, atribuar nga MKRS-ja.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL