Thirrje për aplikim në konferencën shkencore: “Zhvillimet në shkencat e ligjërimit dhe lënda e gjuhës dhe e letërsisë në arsimin parauniversitar”

16 Prill, 2019 Njoftime

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, ndër të tjera, ka ndjekur nga afër shumë prej problemeve që lidhen me kurrikulën e gjuhës e letërsisë në arsimin parauniversitar, problemet që lidhen me njohuritë dhe konceptet në tekstet e gjuhës dhe të letërsisë në këtë nivel shkollimi, pasqyrimin në brendinë e tyre të kahjeve të reja të shqyrtimit të dukurive gjuhësore e letrare e, po ashtu, problematikën që lidhet me programet e formimit të mësuesve etj.

Të rëndësishme për të përvijuar përvoja të suksesshme në plotësimin e funksioneve të kësaj lënde dhe infrastrukturës në dobi të saj janë konsideruar e konsiderohen çështje të tilla, si: a) dijet e referencës dhe konceptet bashkëkohore në shkencat e ligjërimit (shkencat e gjuhës dhe të letërsisë) sot, të cilat  duhet të ndihmojnë dijet e përcjella në kurrikula, tekste apo programet e formimit e trajnimit të mësuesve; b) prurjet e shkencave të ligjërimit në studimin e njësive tekst/diskurs, të cilat meritojnë të përfshihen si dije ndihmëse të përcjella në studimin e tipave të ndryshëm të teksteve, të tekstit letrar dhe joletrar; c) konceptualizimi i një problematike të re në dijet që lidhen me studimin e gjuhës dhe të letërsisë (prania në tekste jo vetëm e njohurive gjuhësore, për shembull, që lidhen me sistemin gjuhësor dhe njësitë bazë të tij, por edhe të njohurive gjuhësore e koncepteve që lidhen me përdorimin e gjuhës etj.); d) diskutimi i statusit që mundësojnë dijet e përftuara në shkencat e ligjërimit për problemin e shumëdiskutuar mbi lidhjet e gjuhës me letërsinë etj.

Ndonëse kjo problematikë është trajtuar edhe në veprimtari të tjera shkencore, vërejmë se ka ende punë për të bërë. IGJL-ja do të organizojë javën e dytë të muajit korrik 2019 një konferencë shkencore për t’u ndalur më konkretisht dhe më drejtpërdrejt në këto çështje të diskutueshme. Ftohen të marrin pjesë në këtë veprimtari punonjësit shkencorë, pedagogët në fakultetet që përgatisin mësuesit e disiplinave përkatëse,  mësuesit e gjuhës shqipe e të letërsisë, por njëherazi edhe punonjës të MASR-it dhe të IZHA-s, të cilët merren me problemet e kurrikulave e të teksteve në sistemin parauniversitar në Shqipëri.

Më konkretisht, temat duhet të orientohen drejt këtyre boshteve kryesore:

  1. kurrikulat kombëtare të gjuhës dhe të letërsisë;
  2. lidhja e gjuhës (përkatësisht e gjuhësisë) me letërsinë (përkatësisht me disiplinat që e studiojnë atë);
  3. tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë;
  4. konceptet bashkëkohore në programet dhe tekstet e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë;
  5. programet e formimit të mësuesve të gjuhës dhe të letërsisë për arsimin parauniversitar;
  6. kualifikimet e vazhdueshme të mësuesve të gjuhës dhe të letërsisë.

Njoftojmë aplikuesit se punimet e Konferencës do të ndalen në trajtimin e çështjeve të ndryshme shkencore dhe jo në prurje apo interpretim të gabimeve të ndryshme që mund t’u përkasin anës drejtshkrimore dhe teknike të hartimit e të botimit të teksteve, programeve etj. të kësaj fushe.

Abstraktet duhet të dërgohen në redaksinë e konferencës në adresën elektronike angelique2005al@yahoo.com, brenda datës 15 maj 2019. Abstrakti duhet të jetë maksimalisht 500 fjalë, Font 12, Times New Roman, hapësirë teke.

Këshilli organizues

Prof. dr. Valter Memisha                   

Prof. dr. Laura Smaqi            

Prof. dr. Tomorr Plangarica

Prof. as. Enkeleida Kapia                              

Prof. as. Adelina Çerpja

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL