Më datë 22. 03. 2018, prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi, mori pjesë në konferencën shkencore mbi studimet filologjike organizuar nga Universiteti Shtetëror i Shën Petersburgut-Rusi, përkatësisht në panelin dedikuar studimeve mbi Ballkanin. Tema e studiuesit Bardhoshi ishte “St. George Day, Muslim Community, Border Area: Exploring Changes on Local Meaning of Sacred and Profane”.
Kjo kumtesë është pjesë e një programi kërkimor afatgjatë të autorit që ka në fokus analizën e ndryshimeve kulturore në periudhën bashkëkohore, por duke ndërthurur metodologjikisht qasjen longue durée me atë të etnografisë së të tashmes. Kësodore, kërkohet të realizohet një ndërthurje shqyrtuese duke pasur në mendje një qasje të shqyrtimit të raporteve të pushtetit në shoqëri, përkundrejt edhe në raport me kuptimet lokale në vështrimin e antropologjisë interpretative të Clifford Geertz.
Konkretisht, tema e mbajtur u bazua mbi paraqitjen e fakteve etnografike mbledhur nga vetë autori dhe nëpërmjet tyre u shqyrtuan kuptimet kulturore të riteve, besimeve e miteve rreth ditës së Shën Gjergjit, në popullsinë kufitare në zonën Kosovë-Shqipëri, duke mbajtur theksin tek aspektet publike të “mbajtjes” së kësaj feste. Ndër të tjera, u vu theksi te raporti në mes asaj që parashtrohet në versionin e besimeve popullore, përkundrejt atyre që vijnë në institucionet përkatëse fetare e deri te format se si ofrohet lajmi në media mbi këto festa [e.g. artikulimi i paganizmit]. Prej këtu, u kalua në një analizë të shkurtër se si qasjet e populizmit të ri në politikë, kërkojnë dhe, jo rrallë, ia dalin “të kapin” ose, së paku, të mundohen të përdorin vendet e shenjta si “vende të besimit të tyre”.
Autori, kësisoj, beson se mund të arrihet një qasje, e cila ndihmon në të kuptuarin më tej të shndërrimeve të thella dhe të mëdha kulturore, duke shqyrtuar faktet etnografike me ndërthurjen teorike të sipërcituar, por njëherazi dhe debati teorik mund të shqyrtohet dhe begatohet ende më shumë nëpërmjet testimit të qasjeve teorike me eksperiencat njerëzore.
Falënderime për organizatorët, për ftesën dhe mikpritjen. Po ashtu, falënderime për Akademinë e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, e cila bëri të mundur mbulimin e shpenzimeve të këtij udhëtimi.