Në takimin e radhës të seminarit “Përthyerje antropologjike”, këtë fundmars, kemi të ftuar prof. asoc. dr. Shemsi Krasniqin, në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Tema e këtij seminari trajton mënyrën e ripërfytyrimit të natyrës në kulturën tradicionale shqiptare. Në këtë kontekst, fjala ‘ekokulturë’ është përdorur për t’i paraqitur të gjitha ato elemente të kulturës tradicionale, si vlera, koncepte dhe përfytyrime, dije dhe shprehi, kulte dhe simbole, mite dhe legjenda, besime, festa dhe praktika rituale, të cilat në përmbajtjen e tyre, në mënyrë implicite apo eksplicite, mbartin mesazhe ekologjike dhe paraqesin bazat e një etike mjedisore. Qëllimi kryesor i studimit tonë është identifikimi i elementeve të një etnoekologjie shqiptare, përkatësisht nisja e një fushe studimesh antropologjike mbi mënyrën e të kuptuarit të natyrës në kulturën tradicionale shqiptare.
Pas parashtrimit të metodologjisë së hulumtimit, Krasniqi do të paraqesë disa elemente të ekokulturës si ahti/afti, nëma, bekimi, betimi, metamorfoza, empatia, komunikimi, hiri, shëmbëllimi dhe shenjtërimi, elemente këto të cilat hasen si në praktikat e përditshme të jetës reale, ashtu edhe në krijimet imagjinare, në besimet popullore, në folklor, mitologji dhe në traditën orale përgjithësisht.
Këto elemente do të trajtohen si pjesë përbërëse e ekokulturës, për shkak se përveç karakterit filozofik, mistik, etik, stilistik dhe estetik, ato kanë karakter edhe ekologjik. Duke krijuar vlera dhe norma të caktuara të sjelljes në raport me natyrën, ne konsiderojmë se këto elemente kanë vepruar edhe si mekanizma kulturorë për ruajtjen e ekosistemit dhe baraspeshës ekologjike.
Në pjesën e dytë, do të trajtohet shkurtimisht arti shkëmbor i Kosovës, me tipologjinë e simboleve dhe interpretimin e tyre. Simbolet e gravuara ose pikturuara në gurë, janë shprehje spirituale dhe intelektuale të paraardhësve tanë dhe gjurmojnë disa probleme që lidhen me qenien njerëzore e që janë universale, – të gjithëkohshme dhe të kudondodhura -, pavarësisht koordinatave kohore dhe hapësinore. Arti shkëmbor paraqet një simbiozë të kulturës me natyrën.
Në fund, do të paraqiten gjetjet kryesore nga kërkimet shumëvjeçare në terren të Prof. Krasniqit, në përcjellje të festave popullore dhe praktikave rituale të lidhura me natyrën, si pelegrinazhet në male, ritet e kalimit në gurë, festat sezonale dhe kultet e lisave të vjetër në Kosovë.
Të gjitha këto tema, janë integruar reciprokisht në funksion të idesë së ekokulturës. Në funksion të kësaj ideje është edhe ekspozita “Arterren”. Fjala është për fotografi të bëra gjatë punës kërkimore në terren dhe që paraqesin njerëzit, natyrën, trashëgiminë kulturore, materiale, shpirtërore dhe natyrore të Kosovës. Ndër të tjera, ekspozita “Arterren” mbart edhe një mesazh për hulumtuesit: gjatë punës empirike në terren, mund të bëhen edhe fotografi artistike. Përfshirja e dimensionit artistik në hulumtimin empirik, vetëm sa e pasuron dhe përplotëson hulumtimin.
Biografi
Shemsi Krasniqi është profesor në Departamentin e Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe ligjëron lëndët: Sociologji e kulturës, Praktikumi sociologjik, Metodat kualitative në sociologji, Shoqëria dhe mjedisi dhe Sociologjia e memories kolektive. Studimet themelore i ka kryer në degën filozofi-sociologji të Universitetit e Prishtinës, kurse masterin dhe PhD në Departamentin e Etnologjisë të Universitetit të Strasburgut, ku edhe ka doktoruar me tezën: “Besimet dhe praktikat rituale të shqiptarëve të Kosovës. Refleksione mbi një ekokulturë”. Ai ka një fokus të gjerë interesimesh profesionale dhe përveç sociologjisë dhe etnologjisë, merret me problemet e mjedisit, kujtesën kolektive, trashëgiminë kulturore, e veçanërisht me artin shkëmbor. Në punën e tij kërkimore, ka përdorur metoda të ndryshme, e si pasionant i fotografisë, ka përdorur edhe metodologjinë vizuale. Në kuadër të lëndës “Praktikumi sociologjik”, së bashku me studentët e sociologjisë, ka realizuar disa hulumtime, prej të cilëve më i rëndësishmi është “Kujtesa përballë harresës”. Ky hulumtim i kushtohet rrëfimeve të luftës dhe përvojave të eksodit të dhunshëm të vitit 1999 dhe deri më tani është realizuar në mënyrë të përsëritshme tri herë: herën e parë në vitin 2009 me rastin e 10-vjetorit të eksodit, herën e dytë me rastin e 15-vjetorit dhe së fundi, me rastin e 20-vjetorit.
Shemsi Krasniqi është autor i librit “Ekokultura. Natyra në kulturën popullore shqiptare”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (2016) dhe i katalogut “Arterren”, botuar nga Ministria e Kulturës. Në revista të ndryshme, brenda dhe jashtë Kosovës, ka botuar edhe artikuj që tematizojnë artin shkëmbor të Kosovës dhe ritualet që lidhen me natyrën. Ka marrë pjesë dhe ka prezantuar në shumë konferenca ndërkombëtare, si në Francë, Itali, Norvegji, Shqipëri, Zvicër, Kanada, Japoni, Tajlandë etj. Për kontributin e tij në promovimin e trashëgimisë kulturore, sidomos të artit shkëmbor të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, këtë vit u shpërblye me çmimin “Shtjefën Gjeçovi”.