Pushimet, familja, vendlindja në praktikat e diasporës shqiptare

25 Janar, 2019 Njoftime

Takimi i parë për vitin 2019 i seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, organizuar prej Departamentit të Etnologjisë në IAKSA, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, fton në datën 25 janar 2019, ora 17:00, Dr. Lumnije Kadriun.

Prej vitit 1996, Lumnije Kadriu punon në Degën e Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 2016, fitoi gradën Doktor i Filozofisë në Etnologji Evropiane në Universitetin e Vjenës. Libri “Glokalizimi – perceptime etnokulturore” i botuar në vitin 2009 është punimi i saj i parë monografik. Në vitin 2011, Instituti Albanologjik botoi përkthimin e saj të librit “Historia dhe teoria në antropologji” të autorit Alan Barnard.

Libri “Pushimet, familja, vendlindja në praktikat e diasporës shqiptare të Kosovës” është libri i saj i dytë monografik. Gjetjet e këtij studimi, Kadriu do t’i paraqesë në sallën Auditorium të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në kuadër të seminarit “Përthyerje antropologjike”.

Abstrakt

Përvoja e migrimit të shqiptarëve mund të thuhet se tashmë ka një traditë të bollshme dhe kjo madje konsiderohet si krejt e zakonshme, për arsye se të pakta janë familjet që nuk kanë ndonjë anëtar jashtë vendit. Nisur nga kjo, vizitat e bëra në vendlindje dhe në familje, ishin dhe kanë mbetur si veprime të rëndësisë së veçantë dhe shumë të madhe për ta. Megjithatë, projektet hulumtuese lidhur me vizitat apo pushimet e mërgimtarëve në vendlindje, në përgjithësi, janë mjaft të reja dhe të pakta në numër, ndërsa për mërgimtarët shqiptarë pothuaj jo ekzistentë. Kështu, ky hulumtim, fillimisht është fokusuar në atë se cilët janë aktivitetet kryesore në të cilat angazhohen mërgimtarët gjatë kohës kur janë për pushime në vendlindje, por ky fokus shpalos edhe shumë çështje tjera komplekse e me interes për mërgimtarët. Kompleksiteti i kësaj teme imponon një qasje multidisiplinare, e cila mundëson një pamje mjaft të plotë të kësaj praktike, një kuptim goxha të mirë të pushimeve si pjesë e mënyrës së jetesës së diasporës shqiptare të Kosovës si komunitet, si dhe interpretime të shumta të kësaj praktike.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL