Ditën e mërkurë, dt. 5 dhjetor 2018, në orën 17.30 u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë botimi me titull: “Këngë arumune të Drenovës/Aromanian Songs from Drenova”.
Bëhet fjalë për një album me këngë folklorike, përgatitur nga Josif Minga dhe Mikaela Minga dhe botuar nga Squilibri Editore. Ky botim është rezultat i një kërkimi thuajse 3-vjeçar me këtë komunitet dhe paraqit të dokumentuar repertorin që interpretohet ende nga brezi i vjetër i këngëtarëve vllehë.
Protagonistë kryesorë janë: Spiro Gramozi, Aleks Mihallari, Spiro Bello dhe Thanas Tona të cilët tregojnë në mënyrë kuptimplotë sesi muzika arrin të shënjojë jetën e njeriut, të komunitetit, duke qenë në të njëjtën kohë tregues i universit multikulturor që ka gjalluar dhe vazhdon të gjallojë në një krahinë si Korça.
Pjesë e botës muzikore të shumëzërëshit apo iso-polifonisë toske siç njihet nga UNESCO-ja, këto regjistrime zanore rrëfejnë për një prej minoriteteve më të rëndësishme dhe më vitale në Shqipëri: Arumunët (Vllehët).
Katër zëra unikë: Spiro Gramozi, Aleks Mihallari, Spiro Bello dhe Thanas Tona tregojnë në mënyrë kuptimplotë sesi muzika arrin të shënjojë jetën e njeriut, të komunitetit, duke qenë në të njëjtën kohë tregues i universit multikulturor që ka gjalluar dhe vazhdon të gjallojë në një krahinë si Korça.
Albumi në fjalë vjen si bashkëpunim i dytë i autores Minga me Squilibri Editore, pas botimit të librit me titull: Spanja Pipa e la canzone urbana di Korça (2015).