Ditët e Albanologjisë 2018

6 Dhjetor, 2018 Njoftime

Në datat 3, 4 dhe 5 dhjetor 2018, Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi Edicionin IX të Ditëve të Albanologjisë. Fjalën e hapjes së veprimtarive e mbajti Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akademik prof. dr. Marenglen Verli, i cili gjatë fjalës së tij ndër të tjera theksoi se edicioni i këtij viti i Ditëve të Albanologjisë shënon përmbylljen e një viti shumë të rëndësishëm siç ishte viti mbarëkombëtar i Skënderbeut. Ndër të tjera ky vit ka përkuar edhe me një sërë ngjarjesh të tjera të rëndësishme si, 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, etj.

Në 3 dhjetor zhvilloi punimet Konferenca shkencore “Skënderbeu dhe epoka e tij”, ku referuan:

  • Prof. dr. Aurel Plasari, “Referat: Mbi të sotmen dhe të ardhmen e studimeve skënderbegiane”;

  • Dr. Elvana Metalla, “Kruja në periudhën e mesjetës, rivlerësim mbi të dhënat arkeologjike”;

  • Prof. dr. Skënder Muçaj – dr. Suela Xhyheri, “Kastriotët dhe fisnikët e tjerë shqiptarë në fushën e ndërtimeve mbrojtëse dhe kishtare në shek. XIII-XV”;

  • Prof. dr. Adem Bunguri, “Kontributi i arkeologjisë në identifikimin e fortifikimeve të periudhës së Skënderbeut në rajonin e Dibrës”;

  • Dr. Eduart Caka, “Analizë e aspektit burimor në historiografinë skënderbegiane shqiptare (me përqendrim në dokumentacionin dhe literaturën osmane)”;

  • Prof. dr. Ksenofon Krisafi, “Politika e jashtme dhe diplomacia e Skënderbeut”;

  • Prof. dr. Gazmend Shpuza, “Çështja e alfabetit në Kongresin e Dibrës”;

  • Dr. Pranvera Bogdani, “Shteti i Balshajve një dejà vu i shtetit të Skënderbeut”;

  • Dr. Halil Shabani, “Zenebishtët dhe Delvina, aleatë të Skënderbeut nga “Arbëria e Poshtme””;

  • Dr. Dorian Koçi, “Imazhi i figurës historike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Pashallëqet shqiptare (1784-1831)”;

  • Dr. Ermela Broci, “Një studim bibliografik mbi Skënderbeun: 1940-1990″;

  • Dr. Olsi Lelaj, “Heroi Kombëtar: Një perspektivë antropologjike”;

  • Prof. dr. Afërdita Onuzi, “Veshjet shqiptare në shekujt XIV-XV (reflektim etnografik)”;

  • Dr. Mikaela Minga, “Fan Noli, Skënderbeu dhe muzika”;

  • Prof. dr. Miaser Dibra, “Refleksione mbi komunikimin emocional shprehës në trashëgiminë gojore për Skënderbeun”;

  • Prof. asoc. Dr. Nebi Bardhoshi, “Etnografia për Skënderbeun: kozmologji antropologjike mbi figurën e heroit”;

  • Prof. dr. Valter Memisha, “Vështrime shkencore për figurën e Skënderbeut në faqet e revistës “Studime filologjike”;
  • Prof. dr. Laura Smaqi, “Skënderbeu në krijime letrare të viteve ’20-’40 të shek. XX”;

  • Prof. asoc. dr. Merita Bruci dhe prof. dr. Zeqirja Neziri, “Skënderbeu dhe koha e tij në veprën e Santorit”;

  • Prof. asoc. dr. Evalda Paci, “Atë Marin Sirdani OFM dhe studimet mbi Skënderbeun”;

Ditën e dytë, më 4 dhjetor zhvilloi punimet Konferenca “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri. Prezenca austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”. Kjo konferencë e cila erdhi si bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë (pranë ASA), Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Muzeut Historik Kombëtar, kujton kontributin e misioneve austro–hungareze në arkeologjinë shqiptare si dhe synon të japë një panoramë të përgjithshme të rrugëtimit të tyre shkencor.

Konferencën  e përshëndetën drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi dhe Ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johann Sattler, të cilët theksuan se studimet arkeologjike në Shqipëri përjetuan një etapë të re gjatë viteve 1916 – 1918, ku Akademia e Shkencave të Vjenës në bashkëpunim me komandën e trupave austro – hungareze, të cilat kishin pushtuar pjesën më të madhe të territorit tonë, organizuan ekspedita informative me qëllimin identifikimin dhe grumbullimin e objekteve të ndryshme arkeologjike, dhe si rrjedhojë duke realizuar një vlerësim paraprak mbi pasurinë arkeologjike të Shqipërisë, si dhe fazat historike të këtij territori. Më pas konferenca i vazhdoi punimet me referimet e mëposhtme:

  1. P. D. Mag. Dr. Sabine Ladstätter dhe prof. dr. Luan Përzhita paraqitën kumtesën me titull “The Austro-Hungarian contributions in the Albanian archaeology”;
  2. Prof. dr. Alexander Sokolicek, prof. dr. Bashkim Lahi dhe prof. dr. Neritan Ceka paraqitën kumtesën me titull “Austrian Heritage in the Albanian Archaeology.

Në fund të konferencës u hap ekspozita me titull “100 vjetori i prezencës austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”.

Gjithashtu gjatë ditës së dytë të veprimtarive Ditët e Albanologjisë u paraqitën 34 botime të reja shkencore të realizuara nga institutet e Akademisë së Studimeve Albanologjike gjatë vitit 2018, ndër të cilat:

  1. 8 botime për Skënderbeun dhe epokën e tij;
  2. 7 revista shkencore, ku revistave “Studime historike” (botim i Institutit të Historisë), “Studime filologjike” (botim i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë), “Candavia” dhe “Iliria” (botime të Institutit të Arkeologjisë) u shtohen edhe revista multidisiplinare “Albanian Studies”, dhe ajo “Antropologjia” (botim i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit);
  3. 19 monografi shkencore.

Gjatë ditës së tretë të veprimtarive Ditët e Albanologjisë, u hap në ambientet e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit ekspozita me temë: “ Një etnografi për kohën e Skënderbeut”. Nëpërmjet kësaj ekspozite synohej të paraqitej kultura shqiptare në periudhën e Mesjetës. Objektet që u ekspozuan ishin: veshje, stoli, pajisje të mjedisit shtëpiak, armë të kohës së Skënderbeut,  etj.

Ekspozita u organizua nga kuratore Prof. dr Afërdita Onuzi, Dr. Ermela Broci dhe dy specialistet e fondeve Vilma Nallbani dhe Migena Dukagjini.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL