Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare organizoi takimin e radhës të seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, në datë 23 nëntor 2018, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare.
E ftuara e radhës, dr. Federica Pompejano, mbajti ligjëratën me temë: “Albanian traditional architecture. Traditional timber roofs of Gjirokastër, Albania”.
Ndër të tjera, dr. Pompejano e përqendroi vëmendjen në klasifikimin tipologjik të shembujve të arkitekturës tradicionale rurale dhe urbane, duke vënë në dukje karakteristikat e përbashkëta dhe të dallueshme në çdo tip që i përkasin zonave të afërta gjeografike.
Po ashtu, pjesë e studimit të saj ishin edhe aspektet teknologjike të tipologjisë tradicionale të çatisë prej druri dhe kornizave të çatisë. Ajo propozon në studimin e saj një rishikim kritik të kronologjisë së arkitekturës së ndërtimeve të tyre, lidhur ngushtë me të kaluarën historike të vendit dhe me sfidat e kohës së sotme.