Konferenca shkencore: “Ritualet e Qytetit”

14 Nëntor, 2018 Njoftime

Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Rumanisë, më dt. 7-9 nëntor 2018, u organizua konferenca shkencore “Ritualet e Qytetit”, organizuar nga Ritual Year Working Group, pjesë e Shoqërisë Ndërkombëtare të Etnologëve dhe Folkloristëve. Në këtë konferencë mori pjesë edhe studiuesi prof. as. dr. Nebi Bardhoshi, i cili mbajti më dt. 8 nëntor, kumtesën me titull: “Dita e të Shumtëve: Qëmtime rreth ndryshimeve kulturore të kuptimit të jetës së përtejme”.


Abstrakt
Në krahina të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë, “Dita e të shumtëve” mbahet zakonishtme datë 1 nëntor. Përkujtimi i atyre që kanë ndërruar jetë në këtë datë ndodh në shumë vende të botës, veçanërisht në vende të krishtera, ku njihet si “Day of the Dead” , “Dia de Mourtos”, “AllSaints Day” etj. Kumtesa përmban dhe analizon modalitet rreth mënyrës se si është mbajtur kjo ditë ndër katolikët shqiptarë. Bazuar në të dhëna etnografike dhe historike, vëmendje e veçantë i kushtohet kuptimeve, domethënieve dhe ndryshimeve kulturore që kanë pësuar ritualet përkatëse në realitetet e reja sociale, ekonomike e politike të krijuara në kushtin e përgjithshëm post-socialist. Burimet empirike janë përzgjedhur për të na folur më specifikisht për vijimësitë dhe ndryshimet në strukturën e ritualit/eve dhe domethënieve rreth kësaj jete dhe asaj në botën e përtejme, me pyetje konkrete rreth dimensionit kohor, hapësinor (spatial), përvojat dhe përjetimet trupore. Kumtesa në fjalë është pjesë e një kuadri dhe shqetësimi me të gjerë teorik, që merr përsipër analizën e shndërrimeve kulturore në raportin e profanes dhe të së shenjtës.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL