Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike

1 Nëntor, 2018 Njoftime

U zhvillua sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve dita e parë e Sesionit Përmbyllës të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori.


Në hapjen e këtij sesioni ishin të pranishëm figura të njohura të fushës akademike, studiues vendas e të huaj si dhe studentë të cilët shfaqën interes të madh për këtë konferencë, pasi ajo paraqiti një panoramë mjaft të qartë të kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori heroi ynë kombëtar.
Hapja e sesionit të tretë të konferencës u përshëndet nga prof. dr. Pëllumb Xhufi, studiues pranë Institutit të Historisë, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se “viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut u kthye në një institucion nga qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilat dhanë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e kësaj konference. Gjithashtu, ai theksoi se kjo konferencë ka pasur një jehonë të jashtëzakonshme jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe në SHBA e Kinë”.


Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë pranë ASA-së u përfaqësua ditën e sotme nga prof. asoc. Evalda Paci, e cila u paraqit me kumtesën me titull: “Receptimi i historisë së Skënderbeut në disa vepra themelore të letërsisë së shkruar shqipe”.


Studiues të huaj dhe vendas me anë të kumtesave të tyre paraqitën për të pranishmit fakte mjaft interesante për Skënderbeun duke e paraqitur atë jo vetëm si hero por edhe si një figurë shumëdimensionale dhe të pazëvendësueshme në identitetin tonë si shqiptar.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL