Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me titull: “Tё mohuar nga regjimi: Burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”

1 Nëntor, 2018 Njoftime

Në datat 29-31 tetor 2018, zhvilloi punimet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me titull: “Tё mohuar nga regjimi: Burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990.”
Kjo konferencë u organizua nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë.


Ceremoninë e hapjes së konferencës e përshëndetën: znj. Gentiana Sula- Kryetare e AIDSSH, akademik prof. dr. Beqir Meta – Instituti i Historisë, znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Brian Williams – UN Resident eprezentat and UNDP Resident eprezentative in Albania, znj. Raffaella Campanati – Sekretare e Përgjithshme e Ambasadës Italiane, z. Bernd Borchardt – Head of OSCE Presence in Albania, dr. Çelo Hoxha – Zv. Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, znj. Klaudia Zerva – Program Coordinator – KAS, z. Bilal Kola – Drejtor i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe z. Dorian Koçi – Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike u paraqitën në këtë konferencë me kumtesat e mëposhtme:
– Prof. dr. Hamit Kaba (Instituti i Historisë), paraqiti kumtesën me titull: “Komunizmi shqiptar: ngjashmëri dhe veçori me vendet e tjera komuniste të Europës Lindore e Qendrore 1944-1948.


– Prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi (Instituti i Historisë), paraqiti kumtesën me titull: “Trajtimi i të kaluarës në raport krahasues: Shqipëria dhe Europa lindore”.


– Akad. prof. dr. Beqir Meta (Instituti i Historisë), paraqiti kumtesën me titull: “Vështrim analitik mbi sistemin e burgjeve, internimeve dhe përdorimin e punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri”.


– Prof. dr. Ana Lalaj (Instituti i Historisë), paraqiti kumtesën me titull: “Montimi i (pu)shtetit të pasluftës si mjet dhune, 1944-1953”.


– Dr. Gjon Boriçi (Instituti i Historisë), paraqiti kumtesën me titull: “Pohimi nga Byroja Politike e PPSH të dhunës ndaj të burgosurve dhe të internuarve nga organet e Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1953”.


– Prof. asoc. dr. Sonila Boçi (Instituti i Historisë), paraqiti kumtesën me titull: “Vizatimi i “fytyrës së armikut të popullit” nga regjimi komunist”.


– Prof. asoc. dr. Merita Sauku Bruci (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) në bashkëautorësi me Alma Liço Mirakaj, paraqiti kumtesën me titull: “Internim/dëbimet familjare në zonën e Dumresë 1968-1991: dëshmi dhe refleksione”.
Kjo konferencë projektoi njëherazi historinë dhe kujtesën, si dy aspekte të rëndësishme për të kuptuar më shumë mbi jetën e shqiptarëve nën regjimin totalitar të PKSH/PPSH. Gjithashtu ajo hodhi dritë mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve që shoqëruan atë pjesë jo të vogël të shqiptarëve, të cilët pa asnjë provë shpalleshin fajtorë dhe sa hap e mbyll sytë ktheheshin në “armiq të popullit”.

2017 © AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA.