Seminari permanent “Përthyerje antropologjike”

23 Tetor, 2018 Njoftime

Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare njofton për takimin e radhës të seminarit permanent “Përthyerje antropologjike”, datë 26 tetor 2018, ora 17:00, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. I ftuar, prof. dr. Stefan Çapaliku, i cili nisur nga dy vëllimet e romanit të tij: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (Botimet Fishta, 2016/2017), do të reflektojë mbi artin si rezistencë përkundrejt genocidit kulturor.

Tema: 
Arti kundër genocidit kulturor: rasti i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Abstrakti: 
Arti dhe qyteti janë vendbanime relativisht të mëdha, të dendura dhe të përhershme të njerëzve shoqërisht heterogjenë. Mirëpo arti, po ashtu edhe qyteti mund të shkatërrohen, dhe ajo që i shkatërron është vetëm ideja e mjerë e të ashtuquajturit “efikasitet ekonomik”. S’ka dyshim që një copë park në qendër të një lagjeje të një qyteti apo një libër mbi stolin e atij parku nuk kanë “efikasitet ekonomik”. Në këtë kuptim, një qytet vdes sa herë që tentohet të ngadalësohen apo nëpërkëmben proceset kulturore e artistike. Me vdekjen e artit dhe kulturës, qytetit i ndërpriten lidhjet logjike, të përkohshme dhe hapësinore mes njerëzve, midis njerëzve dhe gjërave. Prej atij momenti, komuniteti nuk është më në gjendje të ushqehet vetë dhe e mira kryesore e tij, hapësira e përbashkët dhe arti si i tillë, pra pikërisht si i përbashkët, nis e humbet kuptimin e vet deri në asgjësim.

Stefan Çapaliku është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1988. Më 1995, përfundoi doktoratën e tij. Ai është autor i më shumë se njëzet pjesëve dramatike, të cilat i ka përmbledhur në katër vëllime. Është nderuar më çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është i nominuar për çmimin “Europa” për realitete të reja teatrore. Veprat e tij dramatike, si dhe pjesë të tjera nga krijimtaria e tij gjenden në mjaft gjuhë europiane. Ai gjithashtu është poet dhe prozator. Aktualisht, Çapaliku drejton Departamentin e Arteve në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Kohët e fundit kontributet e Çapalikut janë shtrirë edhe në regjinë skenike dhe filmike.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL