Në datën 16 tetor 2018, në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut u organizua në Prishtinë, Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në 550 vjetorin e vdekjes”. Morën pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia si dhe shumë studiues të huaj nga Hungaria, Polonia e Rumania.
Konferenca u organizua nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Akademia e Studimeve Albanologjike, si dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve të Maqedonisë nga Shkupi, nën kujdesin e Komisionit Ndërministror të Republikës së Kosovës për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Konferencën e përshëndeti rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik Marenglen Verli, i cili gjatë fjalës së tij tha se kudo ku jetojnë shqiptarët, viti 2018 ka qenë viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, dhe po përkujtohet me veprimtari të shumta që janë zhvilluar dhe po zhvillohen edhe në Itali, Austri, Hungari, Britani etj. Pasi nënvizoi vlerat e qëndresës së madhe të arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut në shek.e XV, akademik Verli informoi auditorin për disa nga veprimtaritë që janë zhvilluar e po zhvillohen në Republikën e Shqipërisë gjatë këtij viti, për konferencën që pritet të zhvillojë punimet në datat 1-3 nëntor në Tiranë, për promovimin e një kolane botimesh kushtuar heroit tonë kombëtar në ditët e Albanologjisë, që organizon ASA, në javën e parë të dhjetorit, etj.
Përmes kumtesave të prezantuara gjatë Konferencës, studiuesit e shumtë sollën prurjet më të reja shkencore mbi jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut dhe zhvillimet historike që kanë karakterizuar periudhën në fjalë, trajtuan aleancat dhe rezistencën e shtetit arbër të kohës, njëkohësisht edhe jehonën e fitoreve të arbërve të prirë nga Skënderbeu. Studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike u paraqitën në këtë konferencë me kumtesat e mëposhtme:
- Eduart Caka (Instituti i Historisë) paraqiti kumtesën me titull: “Aspekte të situatës politiko-ekonomike të hapësirës shqiptare gjatë shek. XV bazuar në regjistrat kadastrale osmane të kësaj periudhe ”.
- Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) paraqiti kumtesën me titull: “Vepra e Marin Barletit në pikëpamje vëzhgimesh ndërdisiplinore. Interpretime e hollësi studimore rreth një ndërmarrjeje lapidare”.
- Adem Bunguri (Instituti i Arkeologjisë) paraqiti kumtesën me titull: “Të dhëna të reja arkeologjike mbi disa fortifikime të panjohura të Skënderbeut në rajonin e Dibrës”.
Fjala e mbylljes së konferencës u mbajt nga Drejtori i Institutit të Historisë, Tiranë, akademik Beqir Meta.