Konferenca Jubilare Shkencore me rastin e 65-vjetorit të lindjes së gjuhëtares Shefkije Islamaj

18 Tetor, 2018 Njoftime

Ditën e hënë, dt. 15 tetor 2018, në Institutin Albanologjik të Prishtinës zhvilloi punimet Konferenca Jubilare Shkencore me rastin e 65-vjetorit të lindjes së gjuhëtares Shefkije Islamaj.Në Konferencë, veç përshëndetjeve nga prof. dr. Hysen Matoshi (Drejtor i IAP), nga prof. dr. Emila Lafe (Kryetar i shoqatës së gjuhëtarëve shqiptarë) u dëgjuan dhe 20 kumtime nga studiuesit më në zë të gjuhësisë shqiptare, si akademik R. Qosja, akademik Jani Thomai, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Rami Memushaj, prof. dr. Sala Ahmetaj e të tjerë.


Prof. dr. Valter Memisha përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe punonjësve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, si dhe mbajti kumtesën “Shefkije Islamaj për leksikografinë e gjuhës shqipe”.


Konferenca ripohoi shkencërisht dhe vlerësoi lart punën madhore 40-vjeçare të prof. dr. Shefkije Islamaj në shkencat albanologjike. Ajo shquhet si studiuesja më prodhimtare në ditë e sotme në mbarë hapësirat ku krijohet produkt shkencor për shqipen e kulturën tonë kombëtare. Studiuesja ka botuar një numër shumë të madh punimesh shkencore, të tipologjive të ndryshme, si: monografi (duke veçuar: Gjuha e Jakov Xoxes, Gjergj Fishta – gjuha e stili), fjalor (bashkautore), përmbledhje studimesh, referate, artikuj, kumtesa, shkrime në gazeta, biseda në televizione e radio etj. (Bibliografia e prurjeve të saj shkencore rrok mbi 400 zëra).
Të gjithë kumtuesit i uruan studiueses së shquar e të palodhur jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në punën kërkimore e shkencore.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL