Seminari “Përthyerje antropologjike”

25 Shtator, 2018 Njoftime
Seminari “Përthyerje antropologjike” rimerr takimet e tij të përmuajshme, në datë 28 shtator 2018, ora 17, salla “Auditorium”, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Studiuesja e artit bashkëkohor, Dr. Jonida Gashi, anëtare e Departamentit të Studimit të Artit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, prezanton një nga akset qendrore të tezës së saj doktorale.

Tema: Koha dhe lexueshmëria në artin bashkëkohor të imazhit lëvizës

Abstrakt

Koha strukturon si prodhimin ashtu edhe përcjelljen e imazhit lëvizës te shikuesi, e megjithatë ajo vepron si të thuash në distancë. Kështu pra, edhe nëse pranojmë se imazhi fotografik regjistron një moment të caktuar në kohë, kohësia e imazhit fotografik dhe ajo e imazhit lëvizës ndryshojnë rrënjësisht nga njëra-tjetra. Teoricienia e filmit Laura Mulvey, ndër të tjera, thekson se imazhi lëvizës “inkuadrohet brenda një strukture estetike e cila (pothuajse gjithmonë) ka një dinamikë kohore që i imponohet gjatë montimit”, një proces ky, që mbivendoset dhe ndrydh raportin që çdo kuadër filmik, i konsideruar në vetvete, ka me çastin e regjistrimit të tij. Gjithashtu, ndonëse imazhi lëvizës na shfaqet “i lidhur pazgjidhshmërisht me kohën” duke qenë se ai arrin t’i imponojë shikuesit kohëzgjatjen dhe ritmin e tij, kjo qëndron vetëm në kontekstin e kinemasë. Në kontekstin e muzeut apo galerisë së artit bashkëkohor, imazhi lëvizës nuk arrin t’i imponojë shikuesit as kohëzgjatjen dhe as ritmin e tij. Ka plot raste madje ku një vepër e caktuar përpiqet që ta evitojë një gjë të tillë me çdo kusht. Kështu pra, ajo që ndodh rëndom në kontekstin e muzeut apo të galerisë së artit bashkëkohor, është se aftësia e shikuesit për ta përjetuar veprën “ashtu siç duhet” nuk mund të ankorohet në akumulimin e kohës, siç ndodh në kontekstin e kinemasë. Përkundrazi, kalimi i kohës kërcënon vazhdimisht ta bëjë veprën akoma më të pazbërthyeshme. Nga ana tjetër, pikërisht pse në hapësirat e artit bashkëkohor, akumulimi i kohës dhe rrjedhja e saj, përbëjnë një element kyç në përjetimin e imazhit lëvizës, kjo sugjeron që në artin bashkëkohor të imazhit lëvizës, koha gjallon aq sa të na duket thuajse e prekshme.


Biografi
Jonida Gashi është kërkuese pranë Departamentit të Studimit të Artit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë, ku është duke punuar mbi një projekt rreth kinokronikave dhe dokumentarëve, bazuar në punimet e gjyqeve speciale (quajtur ndryshe gjyqet e popullit) që janë zhvilluar në Shqipëri gjatë periudhës komuniste. Gashi është doktoruar në Universitetin e Londrës (University of London, United Kingdom) në Shkenca Humane dhe Studime Kulturore. Në tezën e saj, ajo eksploron kohësinë komplekse dhe shpeshherë paradoksale të artit bashkëkohor të imazhit lëvizës. Në interesat e saj kërkimore përfshihen: teoria dhe kritika e artit bashkëkohor, filozofia e kohës dhe teoritë e përsëritjes, teoria e filmit dhe historia e hershme e kinemasë dhe eksperienca artistike e post-socializmit në Shqipëri. Gashi është një nga themelueset e Debatik Center of Contemporary Art (www.debatikcenter.net).
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL