Nekrologji

24 Maj, 2018 Njoftime

Ndërron jetë gjuhëtari Kolec Topalli (1938-2018).

Ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare akademik Kolec Topalli, gjuhëtar i njohur, profesor, Mësues i Popullit.
Lindi në Shkodër ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në ILP të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992–1997), punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997–2005), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006), koordinator shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike (2007-2014). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991).
Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës e gramatikës historike dhe të etimologjisë së shqipes. Ka botuar më shumë se 250 tituj me rreth 10.000 faqe: monografi, artikuj e kumtesa, si bashkëpunëtor i 30 revistave shkencore brenda e jashtë vendit, me botime në 5 gjuhë të huaja. Ka marrë pjesë me kumtesa në 120 konferenca shkencore kombëtare e 58 ndërkombëtare dhe ka ligjëruar për historinë e gjuhës shqipe në universitete e qendra shkencore brenda e jashtë vendit.

Pedagog i fonetikës historike në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës; anëtar i komisionit për gjuhën shqipe në institucionin ndërkombëtar të ALE-së (Atlas Linguarium Europae). Në vitin 2008 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më 2012 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është autor i shumë monografive.
Në fushën e fonetikës historike ka botuar:
“Theksi në gjuhën shqipe” (1995),
“Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996),
“Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998),
“Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000),
“Sonantet e gjuhës shqipe” (2001),
“Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002),
“Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003),
“Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe” (2004),
“Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2005), (nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”),
“Ricerche sulla storia dell’accento in albanese” (“Kërkime mbi historinë e theksit në shqipe”), (Kozencë, 2007).
Në fushën e gramatikës historike ka botuar monografitë:
“Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008),
“Nyjat e shqipes” (2009), Sistemi rasor i emrave të shqipes” (2009),
“Sistemi foljor i gjuhës shqipe” (2010),
“Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011), (nderuar me çmimin e revistës “Kult” 2012”, si vepra shkencore më e mirë e vitit),
“Fjalori Etimologjik të Gjuhës shqipe” (2017) (fitues i Çmimit “Çabej”, Edicioni II, si vepra më e mirë shkencore e vitit 2017 në fushën albanologjike).
Senati Akademik i Qendrës së Studimeve Albanologjike i ka dhënë titullin “Profesor Nderi i Studimeve Shqiptare”. Presidenti i Republikës e ka nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
Me vdekjen e tij Akademia e Shkencave humbi një shkencëtar me veprimtari të gjatë dhe cilësore, një prej drejtuesve që kanë lënë gjurmë progresi në institucionet ku kanë punuar, një koleg e mik të nderuar; bota shkencore humbi një dijetar me përvojë dhe një njeri të suksesit shkencor; familja dhe të afërmit njeriun e dashur.

Homazhet në nderim të akademik Kolec Topalli do të mbahen në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më datë 25 Maj 2018, nga ora 10.00-11.00. Pas homazheve, kortezhi mortor, do të udhëtojë drejt qytetit të tij të lindjes, Shkodrës.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve e kolegëve dhe botës akademike shqiptare.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL