Kolokiumi me temë: “Analizë ligjërimore e testit ndërkombëtar PISA: kompetenca komunikative e nxënësve”

20 Prill, 2018 Njoftime

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë organizoi më datë 19 prill 2018, në mjediset e Bibliotekës së Arkeologjisë kolokiumin me temë: “Analizë ligjërimore e testit ndërkombëtar PISA: kompetenca komunikative e nxënësve”. Ky kolokium u mbajt nga dr. Ledi Shamku-Shkreli e cila gjatë fjalës së saj theksoi se:

Në provat PISA termi kryesor i referencës është termi “literacy” (në shqip mund t’i afrohej termi “alfabetizim”). Këto prova përqëndrohen në tri literacy si më poshtë:

  • Literacy shkencore: nënkuptohet aftësia e një nxënësi kompetent në disiplinat shkencore, në gjendje të përfshihet në argumentime që lidhen me shkencën dhe teknologjinë.
  • Literacy e të lexuarit: nënkuptphet aftësia e një nxënësi për të kuptuar, përdorur, për të arsyetuar përmbi tekstet e shkruara.
  • Literacy matematike: nënkuptphet aftësia e nxënësit për të formuluar, përdorur dhe interpretuar matematikën në kontekste të ndryshme së bashku me përdorimin e koncepteve apo procedurave të kësaj lënde për të shpjeguar apo përshkruar dukuritë.

Objekt i këtij studimi bëhen tri literacy-t e mësipërme (shkencore, matematike dhe e teximit), të cilat tash e tutje do të konsiderohen si një lietracy e vetme, apo ndryshe si Kompetencë Komunikimi.

Nga studimi rezulton se:

  • Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve shkollore PISA 2015, ndonëse ligjërime të shkruara, duken në të vërtetë transkriptime të bisedave informale (pra të ulëta në diafazí), të artikuluara si varietete zhargonore apo bisedore të shkujdesura (që vendosen te ekstremi i majtë <i folur-i folur> i boshtit diamezik)
  • Shkrimet paraqesin thuajse të gjitha tiparet e atij që Basil Bernstein përcaktoi si Kod i Varfër ose i Rrudhur (Restricted Code), dhe kjo pavarësisht nga venndodhja e nxënësve (qytet apo fshat, qendër apo periferi); pra nuk kemi të bejmë me një problem social por shkollor a edukimor. Paraqiten më mirë vajzat se djemtë, kjo natyrisht jo për diferencim të edukimit shkollor.
  • Deprivimi verbal (postulat i Bernsteinit) që gjendet i kudondodhur në këtë korpus, rrezikon të lidhet përsëdrejti me mossuksesin shkollor dhe ky i fundit mandej të induktojë edhe mossuksesin e ardhshëm socio-ekonomik.

Vlerësimi i korpusit me shkrimet shkollore PISA 2015, sugjeron sa më poshtë:
Lënda e gjuhës shqipe duhet të vendoset në kuadrin më të gjerë të edukimit gjuhësor, i cili duhet patjetër të përfshijë të gjitha ligjërimet, verbale e jo verbale, e sidomos duhet të përfshijë e të impenjojë të gjitha displinat. Duhet konceptuar një edukim i ri gjuhësor, modern e sinergjik e sidomos me objektiva krejt të ndryshme nga sa deri më sot. Besojmë se duhet synuar drejt Kompetences së Komunikimit me katër komponentët e saj.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL