Njoftime

Konferenca shkencore: “KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” DHE KOHA E TIJ”

24 Prill, 2018 Njoftime

Instituti i Historisë – Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, organizon konferencën shkencore: “KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” DHE KOHA E TIJ” . Konferenca do të zhvillohet më datë 2 maj 2018, ora 09:00, në Muzeun Historik Kombëtar, në sallën Kostandin Shpataraku.

Programi i konferencës

Jeni të mirëpritur!

Emisioni “Europa për të gjithë”

6 Prill, 2018 Njoftime

Më datë 5 prill 2018, Dr. Gjon Boriçi studiues pranë Institutit të Historisë mori pjesë në emisionin “Europa për të gjithë”,

ku u diskutua mbi diplomacinë dhe perspektivën e Shqipërisë në Samitin e Sofjes, për marrëdhëniet Kinë – Shqipëri si dhe Kina nën optikën e zhvillimeve si aktor i qenësishëm dhe i madh në eurozonë dhe Evropë.

Prezantimi i botimit Mid’hat Frashëri, Vepra të zgjedhura, Vëll. II

27 Mars, 2018 Njoftime

Me rastin e prezantimit të botimit, Mid’hat Frashëri, Vepra të zgjedhura, Vëll. II, më 26 mars 2018, Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo” organizoi një aktivitet me pjesëmarrjen e studiuesve, historianëve dhe personaliteteve publike. Në këtë prezantim morën pjesë dhe referuan, drejtori i Institutit të Historisë, Prof. dr. Beqir Meta, si edhe Prof. asoc. Afrim Krasniqi. Prof. Meta referoi mbi aspekte të veçantë të studimeve të autorit në fushën historike, në politikë, në sociologji, në gjeografi, gjuhësi etj. Ai theksoi vlerën e këtyre studimeve, profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjeve dhe tezave më të rëndësishme që shqetësonin shtetin dheshoqërinë në fazën e krijimit dhe konsolidimit të tij.

Në referimin e tij, prof.asoc. Krasniqi foli për elementët e krijimtarisë së autorit në diplomaci dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX (Vëllimi i I)

23 Mars, 2018 Njoftime

Këto ditë doli nga shtypi “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, vëllimi i parë. Ky vëllim i kushtohet periudhës së viteve 1912-1920 me një kapitull hyrës mbi rrënjët historike të çështjes shqiptare përgjatë fundit të shek. XVIII deri në fillimin e shek. XX. Në këtë botim janë bërë përpjekje serioze për të thelluar më tej studimin e shumë çështjeve historike që nuk kanë qenë trajtuar sa e si duhet më parë; për të bërë kritikën shkencore të një sërë pikëpamjesh, të cilat nuk mbështeteshin sa duhet në burime historike ose nuk ishin argumentuar plotësisht nga pikëpamja shkencore; janë aplikuar metoda të reja shkencore; janë sjellë teza e konkluzione të reja dhe është plotësuar teksti me referenca shkencore.

 Gjatë punës kërkimore është studiuar gjerësisht literatura historiografike shqiptare dhe e huaj, duke e vënë theksin në botimet më të reja, si dhe u krye një hulumtim i gjerë në disa arkiva të huaja, ku u morën rreth një milion faqe dokumente. Në këtë kuadër janë marrë, kryesisht në formë digjitale, gati të gjitha koleksionet e disa arkivave evropiane të cilat trajtonin çështjen shqiptare gjatë shek. XX, si Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Arkivat Kombëtare të Britanisë së Madhe, Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës dhe Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Koleksione të veçanta janë marrë edhe në Arkivat Kombëtare të SHBA, në Arkivat e Turqisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Kosovës. Gjithashtu një vëmendje e posaçme u është kushtuar edhe hulumtimeve në arkivat e Shqipërisë, me theks të veçantë, në arkivat dhe fondet arkivore që janë hapur vitet e fundit.

 Për realizimin e këtij projekti u angazhuan rreth 40 studiues nga të gjitha trevat shqiptare, të cilëve iu shprehim mirënjohjen për kontributin e çmuar që kanë dhënë. Botimi është i pajisur me referenca të shumta burimore. Ky botim është një përpjekje për të çuar përpara shkrimin e historisë sonë kombëtare përmes një vepre gjithëpërfshirëse sintetike, duke u bazuar në arritjet më të qenësishme shkencore.

Konferenca ndërkombëtare me temë: “Marrëdhëniet strategjike mes vendeve ballkanike, vlerat e përbashkëta dhe globalizmi”

19 Mars, 2018 Njoftime

Më datë  17 mars 2018, dr. Eduart Caka studiues pranë Institutit të Historisë, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Marrëdhëniet strategjike mes vendeve ballkanike, vlerat e përbashkëta dhe globalizmi” të organizuar nga SHLUJ Marin Barleti.

Dr. Eduart Caka mbajti kumtesën me titull: “Feja dhe nacionalizmi si faktorë përcaktues (de) stabiliteti në Ballkan”.

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”

8 Mars, 2018 Njoftime

Me rastin e 20 vjetorit të epopesë së UÇK, më 6 mars 2018, Instituti i Historisë, Prishtinë, Instituti i Historisë, Tiranë dhe ITSHKSH, Shkup organizuan në Prishtinë, konferencën shkencore ndërkombëtare: “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”. Në këtë konferencë, ku morën pjesë dhe referuan një ekip studiuesish të ASA-së, ishin gjithashtu pjesëmarrës studiues të njohur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Italia, Gjermania dhe vende të tjera. Grupi studiuesve nga ASA mori pjesë në konferencë dhe në një sërë aktivitetesh të tjera që u organizuan me këtë rast.

Gjatë punimeve të konferencës referuan me punimet e tyre Prof. Dr. Marenglen Verli, rektor i ASA-së, me temën: “Jasharajt, produkt i një vatre patriotike”,

drejtori i Institutit të Historisë, Prof. Dr. Beqir Meta me temën: “Lufta e Kosovës në kancelaritë perëndimore dhe vendin që zë familja Jashari në këtë luftë”,

Prof. Dr. Hamit Kaba me temën: “Politika amerikane dhe ligjshmëria e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”,

si dhe Prof. Asoc. Afrim Krasniqi me temë: “Evoluimi i qëndrimeve të partive politike në Shqipëri ndaj rezistencës në Kosovë dhe ndikimi në to i ngjarjeve të vitit 1998”.

Prof. Dr. Beqir Meta mbajti fjalën e mbylljes së konferencës. Prof. Dr. Marenglen Verli foli në emër të historianëve Akademinë Përkujtimore që u organizua pasditen e 6 marsit në sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, autoriteteve të vendit, trupit diplomatik, veteranëve të UÇK-së etj.

Simpoziumi shkencor me temë: “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”

2 Mars, 2018 Njoftime

Në kuadër të vitit të Skënderbeut, prof. dr. Pëllumb Xhufi mori pjesë në simpoziumin shkencor me temë: “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” të organizuar nga Komuniteti Shqiptar i Michigan-it, Ambasada e Shqipërisë në Washington e konsullata shqiptare në Michigan. Prof. dr. Pëllumb Xhufi paraqiti kumtesën me temë: “Skënderbeu, kalorës i krishterimit apo fatos i lirisë?”.

Në thelb, kjo kumtesë trajtoi raportin mes qenies së krishterë dhe qenies politike të Heroit. Mbi bazën e burimeve arkivore rezulton qartë se aksioni i Skënderbeut u frymëzua mbi të gjitha nga projekti i tij politik, që ishte ai i krijimit të një shteti shqiptar të pavarur. Në funksion të këtij projekti, që edhe princër të tjerë shqiptarë para tij, si p.sh. Balshajt, ishin përpjekur ta realizonin, Skënderbeu shfrytëzoi faktorin fetar për të çimentuar aleancën e tij me koalicionin antiosman të fuqive të krishtera të udhëhequra nga Papati.

Konferenca shkencore “140 vjetori i dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878″

23 Shkurt, 2018 Njoftime

Akad. prof. dr. Marenglen Verli mori pjesë sot, në Konferencën shkencore “140 vjetori i dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878″.


Në këtë konferencë akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me temë: “Situata demografike në trevat shqiptare veriore në vitin 1877 dhe spastrimi etnik i Sanxhakut të Nishit”.

Konferenca shkencore: “Kosova 10 vjet shtet – Mësimet dhe pritjet”

16 Shkurt, 2018 Njoftime

Drejtues dhe studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike morën pjesë në konferencën shkencore: “Kosova 10 vjet shtet – Mësimet dhe pritjet”, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Një konferencë, e cila shënoi fillimin e festimeve zyrtare për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Tirana, Prishtina, Tetova, Korça, etj, si dhe të zyrtarëve të lartë politikë e qeveritarë, përfshirë zv/kryeministrin e qeverisë së Kosovës, z. Fatmir Limaj. Në emër të ASA-së, konferencën e përshëndeti Rektori i ASA-së, Akademik Marenglen Verli, i cili theksoi mesazhin e rëndësisë së studimeve akademike dhe të rolit të elitave në shtetformim dhe bilancin 10 vjeçar, si dhe iu bashkua apelit adresuar brezave të rinj që ta duan e ta respektojnë më shumë shtetin, kombin e simbolet e tyre.

Gjatë punimeve të konferencës referuan me punimet e tyre Akad. Prof. Dr. Marenglen Verli me temën: “Zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit”,

Prof. Dr. Beqir Meta me temën: “Pavarësia e Kosovës si domethënie e ndryshimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkan dhe e pozitës së shqiptarëve në këto raporte”,

si dhe Prof. Asoc. Afrim Krasniqi me temë: “Tipare të raporteve Shqipëri-Kosovë para dhe pas Pavarësisë”.

Konferenca shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”

30 Janar, 2018 Njoftime

Më 26 janar 2018, akad. prof. dr. Beqir Meta dhe prof. asoc. dr. Ledia Dushku, morën pjesë në konferencën shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake. Në këtë konferencë akad. prof. dr. Beqir Meta referoi kumtesën me temë: “Qëndrimi i Austro – Hungarisë ndaj nacionalizmit shqiptar gjatë Luftës së Madhe: – Një vështrim krahasues”,

ndërsa prof. asoc. dr. Ledia Dushku referoi kumtesën me temë: “Perceptimi dhe realiteti: Shqiptarët dhe autoritetet austro – hungareze përgjatë vitit 1916”.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL