Prezantimi i botimit: “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit – Dokumente historike (1945-1968)”

29 Tetor, 2018 Njoftime

Instituti i Historisë dhe Fondacioni Konrad Adenauer prezantuan botimin më të ri, “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit – Dokumente historike (1945-1968)”. Ky botim u përgatit nga studiuesit e akademik Beqir Meta, prof. as. dr. Afrim Krasniqi dhe dr. Hasan Bello.

Ai ka një vlerë të veçantë për disa arsye: sepse për herë të parë problematika vjen në formë të tillë dokumentare e historike, shumica e dokumenteve dalin për herë të parë në publik dhe ballafaqimi i kurbës së indoktrinimit na lejon të analizojmë ndikimet ideologjike sipas aleancave politike të kohës, por edhe sepse Shqipëria e pas 28 viteve ka nevojë jetike të përballet me dokumente, dialog e kurajë profesionale, me të kaluarën e saj.

Në hyrjen e botimit theksohet se “në dokumentet e periudhës 1945-1948 dominuese janë përpjekjet për të imituar dhe përfshirë në procesin e formësimit kulturor e politik shqiptar të formave, metodave dhe qëndrimeve politike e kulturore jugosllave. Midis viteve 1948-1960 peshë specifike kryesore patën përpjekjet për imponimin në çdo sektor politik, shtetëror e shoqëror të modeleve propagandistike sovjetike staliniste. Këto modele vijojnë edhe më pas, duke u gërshetuar me përvojën dhe frymëzimin e Revolucionit Kulturor Kinez. Të gjitha institucionet kulturore dhe arsimore në vend, ishin objekt i presionit për formatimin uniformë ideologjik të shoqërisë shqiptare në të gjitha shtresat e saj. Shteti imponoi nga lart ndarjen nga tradita, trashëgimia, kultura e letërsia e periudhave të mëparshme, duke imponuar censurimin, sekuestrimin e veprave historike, denigrimin e emrave të mëdhenj të kulturës dhe detyrimin për zhvillimin e letërsisë dhe arteve mbi bazën ideologjike të metodikës së realizmit socialist”.

Më poshtë fragment nga promovimi i librit.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL