“Shteti dhe komunitetet fetare” është botimi i radhës dokumentar i Institutit të Historisë. Ai përmbledh dokumente të viteve 1948-1950 dhe përbën vëllimin e parë në një seri vëllimesh mbi këtë tematikë. Nga viti 1948 çështjet fetare u mbikëqyrën nga një strukturë e posaçme, Komiteti për Çështjet Klerikale pranë Këshillit të Ministrave. Fondi arkivor i këtij komiteti përbën burimin kryesor për hartimin e këtij vëllimi. Dokumentet, të cilat përfshijnë harkun kohor 1948-1950, publikohen për herë të parë. Njohja dhe studimi më i thelluar i realitetit të periudhës 1945-1990 kërkon studimin e plotë të dokumentacionit historik, shtetëror dhe administrativ. Përgatitësit e këtij botimi dokumentar, me mbështetjen financiare të Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien, kanë hulumtuar në dokumentacionin arkivor mbi raportet e shtetit me komunitetet fetare, diskriminimin e procesin politik të përndjekjes së tyre dhe pengimin e riteve fetare. Pjesën më të madhe të dokumentacionit në vëllimin e parë e zë organizimi i komuniteteve fetare, debatet dhe praktikat për miratimin e statuteve të tyre, si dhe të dhëna të detajuara lidhur me përbërjen, mbi burimet njerëzore, mbi aktet e brendshme rregulluese dhe mbi buxhetin financiar. Një pjesë e të dhënave, sidomos elementët e buxhetit, draftet e statuteve apo listat emërore të klerikëve në Shqipëri për secilin nga të tre komunitetet fetare, ndonëse zënë volum të madh dhe japin informacione teknike e statistikore, kanë vlerë për hulumtuesit e periudhës dhe tematikës, për analiza më të thelluara të gjendjes, burimeve njerëzore, sfidave dhe problematikave.
Ky është vëllimi i parë me dokumente mbi raportet e regjimit komunist me komunitetet fetare, duke vijuar me periudha kronologjike vijuese. Vëllimet dokumentare kanë vlerë studimore, referimi, dokumentimi dhe i dedikohen sa arkivit historik aq edhe publikut të interesuar, historianëve, studentëve, gazetarëve etj. Për këtë qëllim të gjitha materialet e vëllimit do të publikohen online me akses të lirë në faqen zyrtare të Institutit të Historisë.