Në Institutin e Historisë, Tiranë (ASA) u mirëprit më datë 9 shtator 2022 Prof. Teuta Shala, u.d. të drejtorit të Institutit të Historisë “Ali Hadri“, Prishtinë. U diskutua mbi sfidat e studimeve historike, programet rreth konferencave dhe aktiviteteve shkencore, shkëmbimet midis stafeve, si dhe fokusimin tek cilësia e kërkimit shkencor dhe e botimeve.
Në takim u përcaktua një agjendë konkrete me aktivitete gjatë muajve të ardhshëm të vitit 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2023, si dhe u dakordësua për një marrëveshje të re bashkëpunimi midis Institutit të Historisë, Tiranë dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri“, Prishtinë, për vitet 2022-2026, e cila do të jetësohet gjatë muajve të ardhshëm. Gjatë takimit u theksua fakti se dy institutet kanë një përvojë të gjatë bashkëpunimi dhe projekte madhore studimore, përfshirë ato mbi historinë e Shqipërisë dhe historinë e Kosovës.