Më datë 22 prill 2021, u zhvillua konferenca shkencore “100 vjet zgjedhje në Shqipëri: Prill 1921 – Prill 2021”, organizuar nga Departamenti i Historisë së Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar dhe ai i Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).
Konferenca u zhvillua online dhe studiuesit ishin të ndarë në dy panele shkencore. Punimet e konferencës i hapi Akademik Beqir Meta (Drejtor i Institutit të Historisë), i cili gjatë fjalës së tij, përgëzoi departamentet e Institutit të Historisë që kishin marrë përsipër organizimin e kësaj konference në formatin online, për shkak të pandemisë.
Akademik Meta u shpreh se zhvillimi i kësaj konference, ndodh vetëm pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Ai theksoi se kjo tematikë është trajtuar përgjithësisht nga studimet historike, por shpresonte që kumtuesit të sillnin fakte e të dhëna të reja shkencore në lidhje me zhvillimet e proceseve zgjedhore gjatë 100 vjetëve në Shqipëri. Natyrisht, theksoi Akademik Meta, gjatë kësaj periudhe, zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri kanë patur edhe probleme. Prandaj, sot studiuesit kanë mundësinë të krahasojnë dhe të nxjerrin në dritë, anët e përbashkëta si dhe dallimet mes zgjedhjeve të zhvilluara gjatë këtyre viteve. Përmes analizave shkencore studiuesit mund të evidentojnë arritjet dhe dështimet e elitave politike, me qëllim që ato të shërbejnë si mësim për të ardhmen, për konsolidimin e sistemit politik në Shqipëri.
Në fund të fjalës së tij, Akademik Beqir Meta përshëndeti pjesëmarrësit, si dhe i uroi suksese punimeve të kësaj konference.
Më tej, konferenca u zhvillua në dy panele të veçanta.
Paneli i parë, u moderua nga prof. asoc. dr. Ledia Dushku, e cila nga ana saj, u paraqit me kumtesën “Nga të mandatuar në kohë lufte, në të zgjedhur në periudhë paqeje: Aspekte të përfaqësimit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe zgjedhjet e vitit 1921”.
Më tej, Eva Smaçi, trajtoi kumtesën: “Qëndrimi i rretheve ushtarake në zgjedhjet e prillit 1921, akuzat për ndërhyrje”.
Dritan Murrja u paraqit me kumtesën “Zhvillimi i zgjedhjeve të para parlamentare në prefekturën e Drinit (Dibrës)”.
Rudina Mita prezantoi kumtesën “Pasqyrimi në shtypin lokal i fushatave elektorale të viteve 1921-1923 në trevën e Elbasanit”.
Sali Kadria trajtoi kumtesën “Problemet dhe polemikat politike gjatë zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1923”.
Ylli Prebibaj u paraqit me kumtesën “Zgjedhjet e vitit 1923 në vështrimin e diplomatëve të huaj”.
Bashkim Boseta trajtoi kumtesën “Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1928”.
Paneli i dytë u moderua nga prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi, i cili nga ana e tij mbajti prezantimin “Ritakimi i brishtë me institucionin e zgjedhjeve: risitë dhe problematikat e zgjedhjeve parlamentare 1991”.
Sonila Boçi mbajti kumtesën “Vështrim analitik mbi fitoren e Frontit Demokratik në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945”.
Hamit Kaba, analizoi Projekte amerikane për qeverisjen e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore”.
Çelo Hoxha, paraqiti kumtesën “Legjitimiteti i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 dhe subjekteve elektorale”.
Florin Zyberaj mbajti kumtesën “Gjuha e propagandës në fushatat elektorale të regjimit komunist shqiptar: analizë krahasimore ndërmjet zgjedhjeve të vitit 1945 dhe 1954”.
Adelina Nexhipi, Erjon Nexhipi, “Ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe ndikimi në skenën politike (1991-2008)”.
Në fund të të dyja paneleve, nga të pranishmit pati pyetje dhe diskutime.