Departamenti i Folklorit është pjesë e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA).
Puna në këtë departament është orientuar ndaj studimit të kulturës vendase, formave dhe praktikave të saj, marrëdhënieve të tyre me forma e praktika të tjera në rajon e më gjerë dhe sidomos me kontekstet historike, sociale e kulturore ku këto janë pjesë, qofshin këto të së shkuarës, ashtu edhe bashkëkohore. Këto forma e praktika përshijnë muzikën, artin verbal, performancën, kulturën materiale, ritualin; shprehi që shkojnë nga kuadri i përditshmërisë deri tek ai më formal e i stilizuar.
Kërkimi etnografik në terren është pjesë thelbësore në punën e këtij departamenti, ndërkohë që folkloristët dhe etnomuzikologët e këtij departamenti ndajnë interesa metodologjike dhe teorike me disiplina të tilla si antropologjia kulturore, sociologjia, sociolinguistika, muzikologjia, studimet mbi muzikën popular dhe mbi mediat audivizuale, si dhe ato mbi trashëgiminë kulturore.
Fillesat e këtij departamenti i gjejmë në vitin 1947, me themelimin e Institutit të Shkencave. Studimet mbi folklorin inkuadrohen brenda sektorit të gjuhësisë dhe letërsisë. Në vitin 1960, u krijua Instituti i Folklorit Muzikor dhe Gojor, një nga institucionet më të rëndësishme studimore të asaj periudhe që përfshiu folkloristët dhe etnomuzikologët. Viti 1979 shënon një reformë institucionale, ku folklori dhe etnomuzikologjia përfshihen si departamente të Institutit të Kulturës Popullore, krahas Departamentit të Etnologjisë. Instituti është në kupolën e Akademisë së Shkencave të RPSSH, kuadër institucional që vijoi deri në vitin 2008, kur pas një reforme tjetër, Departamenti i Folklorit u përfshi brenda IAKSA-së.
Pjesë e këtij departamenti janë dy arkiva: Arkivi Audiovizual dhe Arkivi i Shkruar, Fototeka, Hartoteka dhe Skicoteka (i bashkëndarë me etnologjinë).
Stafi i punonjësve të Departamentit të Folklorit:
Departamenti i Etnologjisë është pjesë e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Akademia e Studimeve Albanologjike.
Historia e tij fillon që në vitin 1947 me krijimin e Sektorit të Etnografisë si pjesë e Seksionit të Historisë, Sociologjisë dhe Ekonomisë brenda Institutit të Shkencave. Më pas ai u inkuadrua si pjesë e Institutit të Historisë, fillimisht brenda formacioneve të njësive kërkimore të Universitetit të Tiranës (1957) dhe më pas si pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1972).
Ky sektor merr statusin e departamentit kur ai shkrihet me Institutin e Folklorit duke formuar Institutin e Kulturës Popullore (1979), gjithnjë në kuadrin e Akademisë së Shkencave të RPSSH.
Departamenti i Etnologjisë do ta zhvillonte aktivitetin e tij kërkimor- shkencor si pjesë e Institutit të Kulturës Popullore deri në reformën e vitit 2008 e cila e shkëputi këtë institucion prej Akademisë së Shkencave duke formuar një institucion të ri kërkimor, Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA).
Departamenti i Etnologjisë, si pjesë qenësore e IAKSA-së, është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri dhe ka gjashtë anëtarë:
Stafi shkencor i këtij departamenti lëvron çështje kyçe, delikate e ndonjëherë të nxehta në lidhje me kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Kërkuesit, në punë e tyre shkencore, përpiqen vazhdimisht të lidhin çështjet lokale me problematikat globale që rrjedhin prej diskursit antropologjik dhe etnologjik në tërësi. Në këtë prizëm, e drejta zakonore, pluralizmi ligjor dhe ndikimi i tyre në dukuri të ndryshme të periudhës së tranzicionit, trashëgimia kulturore urbane e periudhës osmane, çështje të identitetit etnik, kulturor e fetar të popullsive shqiptare në Ballkan, të minoriteteve, marrëdhëniet ndërkufitare e ndërajonale në Ballkan, aspekte të ndryshme të së kaluarës komuniste, proletarizimi dhe klasëformimi, kujtesa e shprehur përmes biografive dhe monumenteve, format e besimit, kozmologjitë bashkëkohore, raporti shtet-shoqëri-kulturë në modernitet, dhe raporti dije-pushtet në situatë diktatoriale etj, janë disa nga çështjet e trajtuara dhe që vijojnë ende të jenë pjesë e kërkimit shkencor të departamentit.
Rezultatet e kërkimeve janë publikuar në monografi shkencore, si dhe në shumë revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pjesë e çmuar e këtij departamenti që në krye të herës kanë qenë arkivat e tij: fondi i objekteve të kulturës materiale, me rreth 30 mijë objekte të kulturës tradicionale që nisen të mblidheshin prej themeluesit të etnografisë shqiptare, Rrok Zojzi, Arkivi i Shkruar i Etnografisë, Fototeka dhe Skicoteka.
Arkivistët e departamentit janë:
Anëtarët e Departamentit të Etnologjisë marrin pjesë rregullisht në konferenca ndërkombëtare dhe janë pjesë aktive e rrjeteve ndërkombëtare të grupimeve të profesionistëve në fushën e etnologjisë dhe antropologjisë social-kulturore. Po ashtu ata janë angazhuar dhe vijon të angazhohen si lektor të ftuar në institucione të arsimit të lartë (IAL) në Shqipëri, si dhe në universitete perëndimore.
Departamenti i Etnologjisë kërkon të krijojë ura komunikimi me shoqërinë shqiptare duke organizuar aktivitete të cilat apelojnë për një dije publike dhe komunikuese. Përveç konferencës së përvitshme departamentale, anëtarët e tij organizojnë takimin e përmuajshëm të seminarit permanent “Përthyerje Antropologjike” në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare.
Qendra e Studimit të Arteve është themeluar me Vendim të Këshillit të Ministrave të RPSSH në vitin 1984, dhe ka funksionuar brenda sistemit të institucioneve të Akademisë së Shkencave nga viti 1986 deri në vitin 2007.
Në vitin 2007 u shndërrua në departament dhe u bë pjesë e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA).
Departamenti i Studimit të Arteve Shqiptare ka për objekt kërkimi historinë e arteve të kultivuara (joanonime), të shprehura në muzikë, arkitekturë, pikturë, skulpturë, imazhin lëvizës, teatër, kinema, dance si dhe me fushat ndërvepruese. Po kështu, objekte interesimi për këtë departament janë edhe estetika dhe historiku i institucioneve artistike shqiptare.
Ky departament boton revistën “Studime për artin”. Numri i parë i kësaj reviste doli në vitin 1995 dhe vazhdon edhe sot.
Punonjësit e këtij departamenti janë: