Prof. Dr. Nebi Bardhoshi

Drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit

Shkarko CV

Prof. Dr. Nebi Bardhoshi, është Drejtor i Instituti të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Bardhoshi është kërkues shkencor pranë ish-Institutit të Kulturës Popullore, sot Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit që nga viti 2002. Nga viti 2015 e këtej,  prof. as. dr.  Bardhoshi është Researcher Fellow, në Graduate School for East and Southeast European Studies, Regensburg, Gjermani, si dhe “visiting profesor”, në universitetin e Regensburgut, për lëndën Property and Anthropology of law (2017). Bardhoshi ka eksperiencë mësimdhënieje në universitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, në lëmin e etnologjisë, antropologjisë sociale, antropologjisë së të  drejtës, antropologjisë së drejtësisë.

Fushat kryesore të interesit shkencor të këtij autori janë antropologjia e së drejtës,  antropologji e pronës dhe antropologji  e shtetit. Në vitin 2011, botoi librin Gurtë e Kufinit: kanuni, prona, strukturimi social, (2011, UET-Press), i cili u prit mjaft mirë nga kritika. Në këtë monografi, nën shqyrtimin kritik të lenteve teorike të pluralizmit ligjor, Bardhoshi analizon kushtin e të jetuarit në mes sistemeve të ndryshme ligjore, përkatësisht kulturën ligjore të të jetuarit në pluralitet ligjor, në zonën kufitare Shqipëri-Kosovë, duke pasur në fokus marrëdhëniet e pronësisë mbi tokën. Zgjedhja e marrëdhënies së pronësisë mbi tokën bëhet me qëllim që të shqyrtohen raportet në mes sistemeve normative dhe praktikat ligjore në kontekstin e shtetit modern. Për të pasur një qasje sa më të plotë, autori ndërthur qasjen prezentiste me atë historiciste. Kjo ndërthurje metodike, mundëson autorin të flasë rreth diferencave në mes normës dhe procesit, idealeve dhe praktikave, e në fund të fundit për të inkuadruar ligjin, qoftë si sistem normativ, qoftë si proces social e kulturor.

Në vitin 2015, Bardhoshi vjen me monografinë e tij të dytë me titull Antropologji e kanunit, botim i parë nga Qendra e Studimeve Albanologjike Tiranë dhe ribotim në vitin 2016, nga shtëpia botuese “Pika pa Sipërfaqe”, Tiranë. Kjo monografi paraqet dhe problematizon debatin teorik në dijet sociale e humane, kryesisht në antropologjinë e së drejtës. Qëllimi i këtij përvijimi teorik është vënia në pah e mënyrave se si qasjet e ndryshme teorike në lëmin e së drejtës, e kryesisht në antropologjinë e së drejtës, kanë krijuar mastarët e tyre teorikë e se si konkretisht kanë  “matur”  njeriun e njerëzoren te tjetri e te vetja. Sipas tezës së Bardhoshit, “matjet teorike”, herë me anë të lenteve teorike relativiste, herë universaliste, e herë-herë të ndërkallura në mes tyre, janë krijuar nëpër troje specifike pushteti. Një prej mastarëve më tipikë të këtyre diskurseve antropologjike, ka qenë “primitivizmi ligjor”, i cili ka bërë jetën e vet politike brenda rrathëve akademikë si dhe si pjesë e ekonomive politike  të shtetit modern.

Gjakmarrja, martesa dhe prona, janë tri çështjet rreth të cilave lëvrohet teza e liminalizimit të kulturës prej politikave shtetërore dhe kulturës shtetërore në tërësi. Libri mbyllet me ftesën për të parë se si shtetërorja moderne përdor kulturën apo aspekte të saj, për të klasifikuar njeriun si jo krejt njeri dhe se si, ajo i jep për atribut vetvetes, shndërrimin e jo krejt njeriut  në, më në fund, njeri.

Bardhoshi është bashkeditor i vëllimit Social Practices and Local Reconfiguration in the Balkans (2013). Ky edicion është produkt i projektit ndërkombëtar  BALKABAS, “Les Balkans par le bas”, që u përfitua nga programi “Jeunes chercheurs” de l’Agence nationale de la recherche (ANR) de janvier 2009 à juin 2012 (ANR-08-JCJC-0091).

Bardhoshi është gjithashtu autor i një serie artikujsh që kanë në fokus proceset sociale e kulturore të të jetuarit në kushtin e pluralitetit ligjor, legjitimitetin e së drejtës, raporteve në mes së drejtës, pronës e strukturës sociale, antropologjisë së fiseve, kujtesës sociale, studime në lëmin e antropologjisë urbane.

Një interes më specifik, Bardhoshi ka mbi historinë e mendimit antropologjik e, posaçërisht në shqyrtimin e raporteve të dijes me shtetin dhe pushtetin në etnologjinë shqiptare gjatë periudhës komuniste dhe post-komuniste. Për këtë çështje, Bardhoshi ka marrë pjesë në konceptimin e projektit Studiues e Studime, projekt i Departamentit të Etnologjisë, Tiranë. Në bashkautorësi me studiuesin Olsi Lelaj, ka përfunduar monografinë (2017), Etnografia shqiptare në situatën diktatoriale: dija, shteti dhe holokuasti ynë.

Ekspeditat etnografike, Bardhoshi i ka realizuar në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Mal i Zi.  Në zonat kufitare Shqipëri-Kosovë (2002, 2003, 2004, 2005, 2008, 2009, 2010). Në vitin 2004, realizoi një ekspeditë informative në zonën e Kurbinit, përkatësisht në fshatrat Gur i Bardhë dhe Gallatë, mbi çështje të pronës, kujtesës sociale, imazhit të shtetit. Në vitin 2011-2012, realizoi kërkime etnografike në Mal të Zi, përkatësisht në zonën e Krajës dhe Shestanit, kryesisht me çështjen e kujtesës sociale, lidhjes me tokën dhe varret, në zona të braktisura nga njerëzit. Në vitin 2014, në kuadër të projektit Trupa të shënjuar, shpirtra të harruar, Bardhoshi realizoi kërkime në terren mbi/dhe në Metalurgjikun e Elbasanit. Për këtë, u realizua dokumentari Trupa të shënjuar, shpirtra të harruar (2014).  Në vitin 2007, 2011, 2013, në zonën  kufitare Shqipëri- Greqi, përkatësisht në Përmet dhe Leskovik.

Krahas zonave rurale dhe kufitare, Bardhoshi ka realizuar dhe vijon të realizojë një seri kërkimesh etnografike në zonat periferike të Tiranës (ndryshe të njohura si zona informale). Ndërkaq, pjesë e kësaj strategjie kërkimore është bërë dhe gjithë politikat qeveritare mbi ‘Rilindjen Urbane’ dhe ato për muzeofikimin e së shkuarës komuniste. Për këtë, Bardhoshi ka konceptuar projektin Shteti në skaje, projekt, i cili ka në qendër të analizës proceset shndërruese në lëmin e kulturës ligjore dhe politike në zonat e njohura si informale. Ndërkaq, pjesë e kësaj strategjie kërkimore janë bërë dhe politikat qeveritare mbi ‘Rilindjen Urbane’ dhe ato për muzeofikimin e së shkuarës komuniste.

Bardhoshi, është bashkorganizator i seminarit permanent Përthyerje Antropologjike, që realizohet në bashkëpunim në mes Departamentit të Etnologjisë (IAKSA) dhe Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, që nga maji i vitit 2016. Gjithashtu, Bardhoshi është bashkorganizator i Laboratorit të Antropologjisë Vizuale, që mbahet në Prizren, dhe që realizohet nga bashkëpunimi i Departamentit të Etnologjisë me Doku-Fest, Prizren.

Drejtuesit ndër vite

1961 – 1979: Prof. Zihni Sako

1979 – 1988: Akademik Alfred Uçi

1988 – 1993: Prof. dr. Ali Xhiku

1993 – 1995: Prof. Beniamin Kruta

1995 – 1999: Prof. dr. Agron Xhagolli

1999 – 2007: Prof. dr. Afërdita Onuzi

2008 – 2017: Prof. dr. Miaser Dibra

2017 e në vazhdim: Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi

2017 © AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL