kodra

VALLJA E RREZEVE (VËLLIMI II)

Autori: Klara Kodra
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 502
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Përmbledhja e dytë studimore e Prof. Klara Kodrës, me titullin poetik “Vallja e rrezeve” na paraqet një kontribut të gjerë e të vlerësueshëm të autores në rrjedhë të viteve. Janë 73 artikuj të natyrave të ndryshme, të botuara në revistat “Studime Filologjike”, “Studia albanica”, “Kultura popullore” apo “Çështje të folklorit shqiptar”, në Akte seminaresh dhe konferencash kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu dhe në shtypin e përditshtëm, në faqet e Kulturës.
I ndarë në 4 sesione me titujt: Midis romantizmit dhe iluminizmit (Rilindja shqiptare), Laryshitë e një letërsie (1912-1944), Letërsia dhe diktatura: probleme, sfida, kufizime (1944-1990), Individualitete dhe prirje, libri risjell kontributin e çmuar të prof. Klara Kodrës në vite për tema dhe çështje nga letërsia e Rilindjes kombëtare shqiptare deri tek autorë bashkëkohorë, për veprat e të cilëve shpesh ajo ka qenë “kumbara” e prezantimit para lexuesit. Mes artikujve, 11 janë në gjuhë të huaj, pjesë e kontributit të autores në botime jashtë Shqipërisë dhe në Studia albanica.
Grupi i parë i artikujve me trajtimet interesante mbi De Radën, Santorin, Seremben Gavril Darën e ri, Dorsën, Skiroin, në mënyrë të pashmangshme të sjell në mend faktin që profesoresha është ndër kontribueset kryesore jo thjesht me artikuj por edhe me monografi mbi autorët arbëreshë në një kohë kur mundësia e kontakteve si me gjuhën e folur arbëreshe, me veprat arkivore dhe me studiuesit arbëreshë ishte më pak se e kufizuar. Mjaft interesantë paraqiten dhe artikujt mbi Naim Frashërin, dhe përqasjet mbi poezi të Mjedjës dhe Fishtës.
Skiroi dhe Serembe janë të pranishëm dhe në grupin e dytë të artikujve, si autorë të periudhës 1912-1944, ndjekur nga artikuj mbi Fan Nolin dhe autorë të viteve ’30, si Migjeni, Koliqi, Kuteli, Spasse. Po ashtu njohja mjaft e mire e letërsisë botërore e çon prof.Kodrën mjaft natyrshëm në përqasje dhe krahasime mes veprash e autorësh.
Grupi tjetër i artikujve Letërsia dhe diktatura: probleme, sfida, kufizime (1944-1990) përmban dy shkrime të të viteve 1976,1977, botuar në gazetën “Drita” Vlera e fjalës në poezi dhe Fjala figurative e gjuhës popullore ku pavarësisht kohës së shkrimit shfaqen konsiderata të cilat vlejnë dhe sot, studimi Baladat e I. Kadaresë dhe D. Agollit si një nga shprehjet e lidhjes së baladës sonë të re me folklorin, botuar në “Çështje të folkorit shqiptar”, 1987. Artikujt e tjerë i takojnë një periudhe më të vonë botimi, 2014-2017, por trajtohen autorë apo çështje që i takojnë periudhës para viteve ’90.
Nën titullin Individualitete dhe prirje janë grupuar 43 recensione mbi autorë dhe vepra, botuar në pjesën dërrmuese në shtyp, me përjashtim të tri rasteve kur recensionet janë pjesë e Studimeve Filologjike apo veprës kushtuese mbi Prof. Altimarin. Studiuesja është treguar mjaft pozitive edhe me autorë të rinj, duke arritur të gjejë anët më të mira të krijimtarisë së tyre.
Përmbledhja Vallja e rrezeve është pjesë e kontributit jo vetëm të autores, por i Departamentit të Studimeve Letrare, pjesë e të cilit është gjithmonë profesoreshë Klara si me punën që ka kryer dhe me atë që vijon të realizojë, e mbi të gjitha me përvojën që transmeton si përmes studimeve ashtu dhe shembullit njerëzor. Botimi i saj shton vlerat e punimeve të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të botuara në rrjedhë të viteve.
Prof. dr. Laura Smaqi